English

Edi Rama në Vlorë si kryeministër dhe si deputet i saj

“Kjo zyrë nuk do t’i mbivendoset asnjë institucioni, nuk do të jetë zyra që do të kërkojë llogari nga asnjë institucion,” është shprehur kështu Edi Rama teksa ka takuar stafin e zyrës së tij në qytetin e Vlorës.

Tashmë zyra e deputetit Edi Rama ka kohë që funksionon dhe ankesat e qytetarëve që i drejtohen stafit janë të shumta. Problemet janë të shumta dhe porosia e deputetit të Vlorës Edi Rama, njëherësh Kryeministër i vendit, ka qenë për përkushtim dhe ndjekje të çdo problemi që vlonjatët do paraqesin në këtë zyrë: “Zyra mbledh informacion, orienton qytetarët dhe ndjek bashkë me qytetarët fatin e çdo përpjekjeje, sidomos në rastet kur behet fjalë për padrejtësi. Le të ndiqet çdo çështje me përkushtim duke i orientuar drejt zgjidhjeve përkatëse, por dhe duke i kërkuar që të mbeten në kontakt me zyrën për të thënë se si shkoi më tutje çështja në mënyrë që të jemi plotësisht të informuar për sjelljen e institucioneve ndaj njerëzve, për sjelljen e drejtuesve të institucioneve ndaj njerëzve, për gatishmërinë e institucioneve për të vënë në vend padrejtësira të krijuara gjithë këto vite, por edhe të jemi shumë të kujdesshëm që mos të ketë padrejtësi të reja dhe të mos bëhen padrejtësi të së njëjtës natyrë, por në krahun tjetër.”

Ndërsa në ceremoninë e prezantimit të Prefektit të ri të Qarkut Vlorë Kryeministri Edi Rama ka qenë i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, drejtuesit lokalë dhe disa prej deputetëve të mandatuar nga ky qark.

Ministri Tahiri lexoi edhe vendimin qeverisë e për emërimin në detyrë të Prefektit të ri të Qarkut Vlorë “Zoti Besnik Dervishi emërohet prefekt i Qarkut Vlorë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, Kryeministri Edi Rama.”

Vetë Prefekti i sapo emëruar, z. Dervishi e quajti nder dhe privilegj marrjen e kësaj përgjegjësie. “Së bashku do të punojmë për të realizuar Rilindjen në të gjithë komponentët e saj, mbështetur në programin e qeverisë, por ne këtë natyrisht që do ta bëjmë të gjithë së bashku si ekip, por kemi fatin dhe privilegjin që të kemi mbështetjen e Qeverisë, të munguar deri më sot ndaj qarkut të Vlorës, sepse kemi mbështetjen e Kryeministrit, deputetit të Vlorës, Edi Ramës,” u shpreh Dervishi gjatë ceremonisë.



Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën, ka nënvizuar se prefektura do të kthehet në një institucion që në frymën e Kushtetutës dhe në zbatimin rigoroz të ligjit do të mbështesë zhvillimin e qytetit:

“Kënaqësi që jam këtu bashkë me ju për të përshëndetur Prefektin e ri të Vlorës, për t’i uruar Besnik Dervishit sukses, vullnet të mirë, përkushtim të plotë dhe sa më shumë frymë bashkëpunimi me qytetarët e Vlorës pa dallim, me pushtetin vendor në Vlorë, me strukturat e tjera të shtetit dhe institucionet përgjegjëse në funksion të asaj Vlore, për të cilën qytetarët votuan më 23 qershor dhe të cilën ua kemi borxh fëmijëve të këtij qyteti.

Unë jam i bindur që prefekti i ri është në lartësinë e detyrës. Ka një eksperiencë jo të vogël si administrator. Ka një eksperiencë të konsiderueshme si përfaqësues i popullit të Vlorë në Kuvendin e Shqipërisë. Ka edhe një eksperiencë për të mos u nënvlerësuar, si vlonjat.

Kështu që për të gjitha këto arsye besoj se zgjedhja e bërë nga ministri i Brendshëm është zgjedhja e duhur. Njëkohësisht jam i bindur se duke firmosur për prefektin e ri të Vlorës, unë si Kryeministër kam firmosur për njeriun e duhur në krye të këtij institucioni të rëndësishëm.

Edhe njëherë tjetër, duke e mbyllur i uroj sukses prefektit të ri. Jam i bindur se me mbështetjen tuaj dhe me harmoni të plotë me interesat e qytetit, me interesat e qytetarëve edhe prefektura do të kthehet në një institucion që në frymën e Kushtetutës dhe në zbatimin rigoroz të ligjit do të mbështesë zhvillimin e qytetit, do të mbështesë progresin shoqëror në qytet, do të mbështesë çdokënd në nevojë për mbështetje në këtë qytet.

Shumë faleminderit të gjithëve!”

KOMENTE