English

Klajda Gjosha: Me ish ministren Bregu do të kem komunikim të vazhdueshëm

Suela Topi-Qeveria ka bërë gati tashmë strategjinë e punës për të kthyer në realitet marrjen e statusit në dhjetor të këtij viti. Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha në një intervistë për gazetën “Shekulli” pohon se puna do të përqendrohet në ato çështje të cilat vazhdojnë të mbeten si problem në kuadër të plotësimit të rekomandimeve të Bashkimit Evropian. Gjosha sqaron se në muajt e mbetur, deri në dhjetor të këtij viti, qeveria do ta fokusojë punën e saj në reformat në gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Ministrja e Integrimit Evropian informon gjithashtu se zgjerimi vijon të mbetet prioritet për BE-në çka përbën një tjetër pikë pozitive në favor të Shqipërisë. Ministrja fton opozitën që të jetë pjesë e këtij procesi, ndërsa pohon se do të ketë komunikim të vazhdueshëm me paraardhësen e saj, kryetaren e Komisionit të Integrimit për të çuar para rrugën drejt BE-së. Sa i përket ligjit “Për nëpunësin civil”, shtyrja e të cilit, sipas PD, është një pengesë në rrugën e integrimit, ministrja thekson se vlerësimi i ndërkombëtarëve u bë i qartë dhe në këtë pikë. “Peter Stano, në një deklaratë për shtyp ka nënvizuar faktin që duhet adresuar vakumi ligjor që do të krijohej pasi të hynte në fuqi ky ligj”, - pohon ajo.

Zonja Gjosha, integrimi në BE, marrja e statusit të vendit kandidat në dhjetor të këtij viti është një prioritet që është theksuar fort. Cila është strategjia e qeverisë së re për ta bërë realitet këtë projekt?

Ky është një moment i rëndësishëm për perspektiven e zgjerimit evropian në rajon dhe koha kur Shqipëria duhet të bëje hapa përpara për të hyrë në një fazë të re të proceseve të integrimit. Jemi të ndërgjegjshëm që kemi ende shumë për të bërë në rrugën e procesit të integrimit evropian, por administrata e re është plotësisht e angazhuar duke punuar me energji të shumëfishuara për të përmbushur reformat dhe detyrat që janë identifikuar si të nevojshme dhe të domosdoshme për të merituar statusin e vendit kandidat. Qeveria përmes Ministrisë së Integrimit Evropian do të bashkëpunojë ngushtë me strukturat e BE-së në Bruksel, Delegacionin e BE-së në Tiranë si dhe me shtetet anëtare të BE-së për të përmbushur prioritetet kyçe si dhe për të aprovuar dhe zbatuar reformat e rëndësishme që kërkohen dhe janë të nevojshme për integrimin evropian të Shqipërisë duke vlerësuar njëkohësisht reformat e kryera nga qeveritë dhe administrata e mëparshme.

Ndër kushtet e vendosura për integrimin ishte dhe ligji “Për Nëpunësin Civil” zbatimi i të cilit u shty për 6 muaj. Sa do dëmtojë kjo procesin?

Kryerja me sukses e zgjedhjeve të fundit parlamentare si dhe transferimi i butë i pushtetit janë prova të pjekurisë graduale të politikës në Shqipëri duke krijuar kushtet e favorshme që do të mundësojnë hyrjen e proceseve të integrimit evropian të Shqipërisë në një fazë të re. Bashkëpunimi dhe dialogu politik me opozitën në të mirë të zhvillimit të proceseve demokratike dhe të prosperitetit të vendit, është një nga prioritetet e kësaj administrate. Ne dëshirojmë dhe duam që opozita të marrë pjesë aktive në aprovimin dhe përmbushjen e reformave dhe do e përshëndesnim dhe vlerësonim shumë kontributin e saj.

Përsa i përket ligjit “Për nëpunësin Civil”, bëhet fjalë thjesht për një vakum ligjor, që na detyron të shtyjmë jo hyrjen në fuqi te ligjit, e cila është vendosur me konsensus, por thjesht shtrirjen e efekteve të tij, derisa ta bëjmë atë të zbatueshëm.

Besoj se qëndrimin zyrtar të Brukselit tashmë e njihni. Zëdhënësi i Komisionerit Evropian për Zgjerimin, Peter Stano, në një deklaratë për shtyp ka nënvizuar faktin që duhet adresuar vakumi ligjor që do të krijohej pasi të hynte në fuqi ky ligj, sepse ky ligj i ri nuk parasheh nene tranzitore deri sa të plotësohen aktet e tjera nënligjore. Për sa i përket zgjidhjes së çështjeve teknike të ligjit, për këtë është bashkëpunuar me SIGMA (Mbështetje për Përmirësimin e Qeverisjes dhe Menaxhimit), një iniciativë e përbashkët e BE dhe OECD.

Paraardhësja juaj, zonja Bregu e kritikon ashpër vendimin për shtyrjen e ligjit duke e konsideruar atë si një pengesë në rrugën e integrimit. Si i përgjigjeni këtij komenti? Unë besoj se kësaj pyetje i jam përgjigjur më sipër, megjithatë dua të theksoj edhe një herë se administrata e re dëshiron dhe është e gatshme të diskutojë dhe të gjejë konsensusin me opozitën jo vetëm për këtë çështje, por për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin e demokracisë dhe vendit. Opozitës i është kërkuar bashkëpunimi dhe dialogu për këtë çështje dhe deri në këto momente nuk kemi ende një përgjigje pozitive.

Do të kërkohet bashkëpunimi i opozitës në procesin e integrimit?

Siç e kam theksuar edhe më sipër, bashkëpunimi politik dhe arritja e konsensusit me opozitën janë një ndër prioritetet e kësaj qeverie, pjesë e së cilës jam edhe unë. Ne jemi të vendosur të hapim një erë të re në politikën shqiptare duke kërkuar konsensusin, dialogun dhe bashkëpunimin me opozitën në të mirë të demokracisë dhe vendit.

Si e vlerësoni vendimin e zonjës Bregu për të liruar zyrën, jo nëpërmjet një takimi, por me anë të një letre dhe një dosje arritjesh dhe rezultatesh të qeverisë “Berisha”?

Nuk është diçka që më ka shqetësuar. Jam e bindur që unë si Ministre e Integrimit Evropian dhe znj. Bregu si Kryetare e Komisionit të Integrimit do të kemi kohë mjaftueshëm për të biseduar së bashku dhe për ta ndihmuar vendin në procesin e integrimit.

Zonja Gjosha ju ishit pjesë e delegacionit shqiptar në Bruksel. Sa mikpritës ishin eurodeputetët për një anëtar të ri në familjen evropiane?

Praktika e zgjerimit është një nga prioritetet e BE dhe Shqipëria bën pjesë tek ato vende të cilat mirëpriten në këtë familje të madhe por njëkohësisht, BE ka rregulla dhe kërkesa strikte për standardin që duhet të kenë vendet që do të bëhen pjesë e saj dhe është mjaft e qartë që Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë për plotësimin e tyre.

Të qenit femër ndihmon në procesin e integrimit?

Procesi i integrimit është gjithëpërfshirës, kjo do të thotë që ka nevojë që të gjithë aktorët e shoqërisë të jenë aktiv në të. Ministria e Integrimit Evropian do të fokusohet në informimin e publikut mbi proceset e integrimit evropian duke e ftuar të bëhet pjesë e saj.

KOMENTE