English

Komisioni Evropian: Shqipëria ka përmbushur kushtet për dhënien e statusit kandidat

Komisioni Evropian vlerësoi sot, se Shqipëria ka përmbushur kushtet për dhënien e statusit kandidat. Raportin e Progresit Kryeministrit Edi Rama ia ka dorëzuar Ambasadori i BE-së, në Tiranë, Ettore Sequi.

“Nuk ka asgjë për të festuar”, është shprehur kështu Kryeministri Edi Rama pas takimit me Ambasadorin e BE-së. Për Kryeministrin, lajmi i sotëm është inkurajues, por koha e rrahjeve të gjoksit dhe të daulleve qeveritare me dokumentet e integrimit evropian ka mbaruar më 23 qershor.

Një tjetër mesazh i dhënë në konferencën për shtyp nga Kryeministri, ka qenë dhe mbyllja e “kohës së Qeverisë që punon për ta çuar Shqipërinë në Evropë dhe opozitës që saboton integrimin evropian”.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi tha se Komisioni Evropian vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe rekomandoi që t’i jepet statusi i vendit kandidat “me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të ndërmarrë hapa në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.



Më poshtë gjeni të plotë konferencën e përbashkët për shtyp të Kryeministrit Rama dhe ambasadorit të BE-së, Sequi



Kryeministri Edi Rama:

“Nuk ka asgjë për të festuar.

E kam thënë këtë kur kam qenë në krye të opozitës, e them këtë po njësoj sot, në krye të Qeverisë.

S’ka dyshim se lajmi i sotëm është inkurajues, por koha e rrahjeve të gjoksit dhe të daulleve qeveritare me dokumentat e integrimit evropian në vend të shamive të valles, ka mbaruar më 23 qershor.

Dhe besojeni që edhe ditën kur Shqipëria do të marrë vetë statusin e vendit kandidat, qoftë në dimër a qoftë në pranverë, as mua s’do më dëgjoni të flas për fitore, as qeverinë s’do ta shihni në ndonjë tribunë mitingu festiv me paratë e taksapaguesve.

Ka mbaruar më 23 qershor edhe koha e mitingjeve qeveritare me këngëtarë të paguar nga shteti për t’i paraprirë daljes të kryeministrit liberator.

S’ka dyshim se më 23 qershor ka mbaruar edhe koha e Qeverisë që punon për ta çuar Shqipërinë në Evropë dhe opozitës që saboton integrimin evropian. Për ne, as propozimi i sotëm për statusin, as statusi vetë dhe as hapja e bisedimeve për anëtarësim, nuk janë arsye për të treguar asnjë lloj superioriteti moral apo patriotik ndaj opozitës apo, për të mos njohur arritjet e Qeverive të mëparshme në legjislacionin e integrimit.

Ky proces shumëvjeçar drejt anëtarësimit ka qenë për çdo vend më i gjatë se jetëgjatësia e një qeverie të vetme dhe në çdo vend, kush më shumë e kush më pak, ka pasur meritat e veta.

Edhe Shqipëria s’ka si të jetë ndryshe dhe sot ka vetëm një ndryshim:

Që ndryshe nga qeveria e mëparshme, ne as gjejmë sot rastin për t’u vetëlëvduar dhe as do të na dëgjoni sot apo mot të shajmë opozitën për ta ndarë popullin në të mirë e në të këqinj apo për t’i ndarë palët palët në partizanët e Brukselit dhe në diversantët e Shqup-it.

Shkurt, ne jemi të inkurajuar sot nga propozimi i Komisionit Evropian dhe çdo shqiptar pa dallim duhet të ndihet i inkurajuar.

Propozimi për statusin vjen më në fund pa “litar përjashta” dhe tanimë është e qartë se zgjedhjet e 23 qershorit ishin de facto kushti i papërmbushur i dhjetorit të shkuar, sikundër ne e lexojmë qartë atë që nuk donin të lexonin paraardhësit tanë vjet, kur bëhet fjalë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si diçka e vetëkuptueshme bashkëlidhur me propozimin për statusin.

Risia e madhe e kësaj here, është se për herë të parë Raporti i Progresit flet për mundësinë reale të hapjes së bisedimeve për anëtarësim vitin e ardhshëm nëse përmbushen disa kushte themelore - me të cilat ne jemi 100% dakord. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, forcimi i sistemit gjyqësor, reforma e administratës, liritë dhe të drejtat themelore.

Me vjen sinqerisht mirë që Raporti i Progresit e nënvizon frymën gjithëpërfshirëse në vijën e sjelljes së shumicës sonë qeverisëse dhe me bindjen se kjo është e vetmja vijë evropiane sjelljeje me opozitën dhe me publikun në tërësi, ne do të vazhdojmë të jemi tërësisht të angazhuar, qoftë në Kuvend dhe qoftë si qeveri që ta forcojmë këtë vijë të re në politikën shqiptare.

S’ka dyshim, se më vjen mirë po ashtu që Raporti i Progresit flet qartë edhe për aktin normativ që nesër i paraqitet Kuvendit dhe besoj se çka shkruhet në raport lidhur me këtë, mund të jetë një pikë shumë e besueshme referimi për opozitën që të reflektojë mbi mundësinë e votimit të aktit normativ.

Në fund, por jo për nga rëndësia, dua të falenderoj shumë përzemërsisht, Ambasadorin Sequi për gjithçka bën, respekti dhe admirimi im për punën dhe për përkushtimin e tij është fakt i njohur botërisht. Por, sot, është dita për ta falenderuar, sepse sot është dita më e shënuar në raportet vjetore mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian.

Falenderoj, gjithashtu, Komisionerin Štefan Füle dhe gjithë skuadrën e zgjerimit që është marrë me hartimin e këtij raporti, ku krahas propozimit për statusin dhe përmendjes së mundësisë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ne mund të shohim si në një pasqyrë besnike mangësitë, dobësitë, problemet për t’u zgjidhur që sot e gjithë ditën e mbajnë Shqipërinë ende larg Bashkimit Evropian.

Pikërisht, për këto na duhet Raporti i Progresit, jo për të ushqyer propagandën e sukseseve imagjinare. Edhe propaganda e sukseseve imagjinare ka mbaruar në 23 qershor.”



Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi:

“Faleminderit zoti Kryeministër!

Sot unë pata kënaqësinë që t’i dorëzoja Kryeministrit Rama Raportin e Progresit për Shqipërinë. Ky raport është pjesë e Paketës së Zgjerimit të vitit 2013, e cila u miratua sot nga Komisioni Evropian.

Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Shqipëria ka ndërmarrë progres të mirë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht duke miratuar masat e identifikuara si thelbësore për dhënien e statusit të vendit kandidat dhe duke vazhduar që të japë rezultate në reformat që lipsen për përmbushjen e prioriteteve që janë nxjerrë nga Komisioni Evropian në opinionin e vet, në vitin 2010.

Duke patur parasysh këtë progres të bërë, Komisioni Evropian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat, me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të ndërmarrë hapa apo veprime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ashtu siç e theksoi edhe zoti Kryeministër, në mënyrë që Shqipëria të kalojë në fazën tjetër, në çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, lipset që vendi të përmbushë me tej prioritetet kyçe, në veçanti ato që kanë të bëjnë me reformën në administratë, po ashtu me shtetin e së drejtës dhe të drejtat thelbësore. Ky është një proces dhe si i tillë, ky proces ka fuqi transformuese për vendet që e kalojnë atë, ashtu si edhe për Shqipërinë.

Isha veçanërisht i kënaqur kur dëgjova zotin Kryeministër që përmendi një fjalë, e cila për ne është një fjalë kyçe në këtë proces dhe kjo ishte fjala gjithëpërfshirje. Dëshiroj që me këtë rast unë të shpreh disa ndjenja, të cilat ne vërtetë i kemi përjetuar në Bruksel. Unë në fakt i shpreha zotit Kryeministër përgëzimet në postin e tij si Kryeministër i vendit, por edhe si kryetari i opozitës së atëhershme për suksesin e arritur, por po ashtu edhe për angazhimin që ka patur. Megjithatë, është e drejtë, në fakt, që të bëhen publike dhe të njihen angazhimet dhe rezultatet që janë arritur edhe nga ajo që është opozita sot në Shqipëri, pikërisht për këtë sukses të arritur.

Është vërtetë thelbësore dhe duhet theksuar që procesi i integrimit evropian duhet të vazhdojë të mbetet një përpjekje e vërtetë kombëtare e të gjithë shqiptarëve dhe një projekt gjithëpërfshirës.

Së fundmi, Bashkimi Evropian është i angazhuar dhe i përkushtuar për ta mbështetur Shqipërinë dhe do të vazhdojë me përkushtimin dhe angazhimin e vet për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjet e saj për integrimin në evropian dhe për reformat të cilat lipsen për të ecur në drejtimin e duhur.”



Televizioni Top Channel: Një pyetje për ambasadorin Sequi. Propozimi i sotëm i Komisionit Evropian është i merituar për Shqipërinë, apo mjaft dashamirës ndaj qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, siç e ka përshkruar pak më parë ish Kryeministri Berisha?

Faleminderit për pyetjen tuaj. Ne besojmë që Raporti i Progresit dhe ato që dalin nga Raporti i Progresit janë në fakt dy aspekte: nga njëra anë, kemi një skanim të situatës në vend. Nga ana tjetër, është edhe një program për të ardhmen, pasi tregon rrugën se si duhet ecur përpara në atë drejtim. E, si i tillë, ai është një skanim objektiv i situatës dhe në rastin e këtij rekomandimi që është bërë, ky rekomandim është bazuar në fakte. Faleminderit!

Televizioni News 24: Kam një pyetje si për zotin Sequi edhe për zotin Rama. Edhe në Progres Raport është theksuar çështja e gjithëpërfshirjes, por deri në këto momente që ne flasim, kemi një fillim jo të mirë të marrëdhënieve mes mazhorancës dhe opozitës. Kam këtu parasysh Aktin Normativ për ligjin “Për Nëpunësit Civil”. A duhet ndoshta që mazhoranca të bëjë diçka më shumë për të tërhequr në rrugën e konsensusit dhe kompromisit edhe opozitën? Kam këtu parasysh edhe disa çështje që priten të hapen që kërkojnë gjithëpëfshirje.

Ambasadori Sequi: “Ashtu siç e thamë, procesi i integrimit evropian është një proces, i cili bazohet në përpjekjen kombëtare. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë përpjekjet e të gjithëve. Ne besojmë që një aspekt shumë i rëndësishëm është dialogu politik, konstruktiv dhe i qëndrueshëm. Ne, po ashtu, besojmë dhe unë mendoj që pikërisht duke i mbajtur sytë drejt këtij dialogu konstruktiv dhe të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirjes, si dhe angazhimit të sinqertë të të dy palëve për të arritur objektivin që e kërkojnë të gjithë shqiptarët, një konsensus i gjerë në shoqërinë shqiptare, është në fakt edhe elementi kyç për të ecur përpara. Unë po ashtu, besoj, që të gjitha përgjigjet e pyetjeve tuaja, në fakt, mund t’i gjeni në Raportin e Progresit. Për shembull, ju përmendët këtu edhe reformën në Administratën Publike. Në fakt, atë e përmendi edhe zoti Kryeministër dhe mund të themi që mund t’i referoheni Raportit të Progresit, pasi në të, do të gjeni pjesë pikërisht për Administratën Publike.

Kryeministri Rama: “Ne jemi votuar për të udhëhequr. Opozita është votuar për të kontrolluar udhëheqjen. Gjithëpërfshirja nënkupton vullnetin e palëkundur për dialog dhe dialogun, si instrument i patjetërsueshëm në rrugën e kërkimit të konsensusit. Por, nga ana tjetër, gjithëpërfshirje nuk do të thotë që Qeveria, për hir të dakordësisë me opozitën, të harrojë, qoftë dhe për një çast të vetëm, se është aty për të udhëhequr. Së dyti, në rastin konkret, sot, edhe Raporti i Progresit jep një referencë shumë të qartë për faktin se Akti Normativ është larg së qenit diçka tjetër, përveç se një instrument për të bërë të zbatueshëm ligjin “Për Nëpunësin Civil” dhe për të bërë të zbatueshëm të gjitha ato ndryshime që u miratuan me konsensus. Së fundi, ne do të dëgjojmë me shumë vëmendje dhe vazhdimisht, por ne do të udhëheqim.

Faleminderit!”

KOMENTE