Suela Topi - Bllokohet dhënia e çdo leje ndërtimi në gjithë vendin. Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi dje nismën për hartimin e Planit Kombëtar të Territorit. Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni sqaroi se do të ketë edhe masa rehabilituese lidhur me ndërtimet që janë pa leje. Ky proces sipas saj do fillojë nga ndalimi i ndërtimeve të reja informale dhe duke përcaktuar kritere të qarta për ndërtimet që janë, në qofte se janë në proces legalizimi apo jo, në cilën fazë janë dhe pas kësaj do vendoset ndërhyrja lidhur me rehabilitimin e mjedisit. Ministrja garantoi se nuk do të ketë prishje të ndërtimeve me leje. Një tjetër vendim i marrë dje është një plan për zonën ekonomike të zonës Tiranë-Durrës, për kurorën e gjelbër të Tiranës duke bllokuar ndërtimet informale në këto zona shumë të rëndësishme, miratimi i rregullores së Këshillit Kombëtar të Territorit por dhe rehabilitimi dhe kthimin në identitet të zonave mjedisore që janë të ruajtura, si parqet kombëtare si dhe mbrojtja e zonave dhe objekteve të trashëgimnisë kulturore.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se do të pezullohet dhënia e lejeve zhvillimore deri në planin e përgjithshëm definitiv të territorit. Kjo bllokon çdo leje ndërtimi dhe në qendër të Tiranës e cila me një vendim të vitit 2000 është shpallur “Ansambël monument-kulture”.
Vendimet e KKT-së
“Vendimi i parë dhe më i rëndësishmi është miratimi i nismës për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit”, - informoi dje ministrja, Eglantina Gjermeni pas mbledhjes së KKTsë. Sipas saj me marrjen e kësaj nisme dhe me hartimin e këtij Plani synohetrealisht që në radhë të parë t’i jepet fund informalitetit dhe kaosit të zhvillimit informal dhe urban në Shqipëri. Vendimi i dytë i marrë dje synon fillimin e procedurave për hartimin e Planit të Integruar të Përgjithshëm në Zonën Ekonomike, Tiranë – Durrës, i cili sipas Gjermenit synon t’i shërbejë më mirë zhvillimit të potencialeve të kësaj zone, edhe të ardhmes evropiane të zonës, Tiranë - Durrës. “Vendimi i tretë, ka të bëjë me masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore, në zonën e Kurorës së Tiranës”, - tha Gjermeni.
Ajo paralajmëroi se do ti jepet fund çdo ndërtimi pa leje në këto zona. KKT ka miratuar dhe rregulloren e funksionimit të brendshme të tij. E pyetur nëse do ketë prishje të atyre objekteve që mund të kenë dhe leje dhe që janë shumë afër rrugës ministrja tha se: “Do të ketë edhe masa rehabilituese lidhur me ndërtimet që janë pa leje. Në radhë të parë, duke ndaluar ndërtimet e tjera informale dhe duke përcaktuar kritere të qarta për ndërtimet që janë, në qofte se janë në proces legalizimi apo jo, në cilën fazë janë, para se të ndërhyhet lidhur me rehabilitimin e mjedisit”. Gjermeni garantoi se nuk do ketë prishje të ndërtimeve me leje. Ndërsa për vendimin e pestë të Këshillit i cila ka të bëjë me marrjen e masave emergjente për mbrojtjen e zonave kombëtare mjedisore informoi ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Ai paralajmëroi prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje të bëra në këto zona. “Rreth 90 % e ndërtimeve që gjenden në zonat në fjalë janë ndërtime informale dhe që të bësh rehabilitimin e zonave të mbrojtura, hapi i parë dhe i domosdoshëm është, pikërisht, kthimi i tyre në identitet”, - tha ai. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro informoi mbi vendimin e gjashtë të KKT-së i cili ka të bëjë me Mbrojtjen e Objekteve dhe Qendrave të Trashëgimisë Kulturore me një rëndësi të veçantë. “Bëhet fjalë për një përditësim të listës, rishikim të listës të objekteve të Trashëgimisë Kulturore të të gjitha natyrave të përcaktuara qartë nga ligji për Trashëgiminë Kulturore, identifikimi i atyre objekteve që kërkojnë ndërhyrje emergjente dhe pezullimin e dhënies së lejeve zhvillimore deri në planin e përgjithshëm definitiv të territorit, ç’ka do të bëjë të mundur edhe njëherë përcaktimin e zonave më të rrezikuara”, - sqaroi ajo duke paralajmëruar ndër të tjera dhe ndalimin e çdo leje ndërtimi në qendër të Tiranës, brenda zonës të shpallur “Ansambël monument- kulture”.
Ministrja paralajmëroi ripërcaktimin e zonave A dhe zonave B të mbrojtura nga ligji i Trashëgimisë Kulturore duke sqaruar se janë vënë në dijeni të gjitha bashkitë e vendit për rishikim të rregullave, me të cilat do të funksionojë Këshilli Kombëtar i Restaurimit dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë si dhe në kuadrin e një reforme të përgjithshme, që Ministria e Kulturës po ndërmerr për menaxhimin territorial të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Vendimet
Nismë për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit
Fillimi i procedurave për hartimin e Planit të Integruar të Përgjithshëm për Zonën Ekonomike Tiranë-Durrës
Masa emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në zonën e “Kurorës së Tiranës”
Rehabilitimi dhe kthimi në identitet i zonave mjedisore që janë të ruajtura, si Parqet Kombëtare
Vënia në një mbrojtje të veçantë dhe marrja e masave të menjëhershme emergjente për Mbrojtjen e Objekteve dhe Qendrave të Trashëgimisë Kulturore
Miratimi i rregullores së Këshillit Kombëtar të Territorit