Ornela Manjani - Ministria e Financave ka marrë mbështetjen e FMN-së për të siguruar shumën që nevojitet për të shlyer detyrimet për punët e papaguara. Por FMN-ja ka vënë dy kushte, të cilat duhet të plotësohen para se fondi të firmosë marrëveshjen. E para është politika e re fiskale dhe e dyta është shkurtimi i shpenzimeve. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, për të përballuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen financat publike, aktualisht po diskutohet mundësia e marrjes së një borxhi të ri, që besohet të kapë vlerën e 40 miliardë lekëve. Burimet shtuan se, aktualisht po negociohet më ekspertë të FMNsë për marrjen e këtij borxhi, i cili do të shkojë vetëm për shlyerjen e faturave të prapambetura të biznesit. Aktualisht, pranë këtijdikasteri kanë deklaruar fatura të pashlyera rreth 150 biznese.
Ky proces pritet të zgjasë deri në fund të këtij muaji. Por, sipas këtyre burimeve, FMN-ja, edhe pse në parim është “pro” dhënies së këtij borxhi, pritet t’i vendosë disa “kushte” qeverisë shqiptare, kryesisht për reformën në sistemin fiskal, si dhe kufizimin e shpenzimeve buxhetore. Ndërsa për mbylljen e vitit buxhetor, “financave publike u duhen edhe 24 miliardë lekë”, është shprehur, ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Por, për të përballuar këtë situatë financiare të buxhetit, ministria do të marrë hua në tregun e brendshëm. Për të rregulluar dhe treguesit fiskalë qeveria miratoi para pak ditësh Aktin Normativ të buxhetit të rishikuar 2013. Pjesë e këtyre ndryshimeve ishin shkurtimi i të ardhurave dhe rritja e deficitit.