Ministria e Punëve të Brendshme, duke mos dhënë asnjë arsye për urdhrin që do të lexoni më poshtë, kërkon që disa rrugë të kryeqytetit nga mëngjesi i nesërm dhe pa afat deri në njoftim të dytë, të mos lëvizin e as qëndrojnë, as makina dhe as këmbësorë. E për më tepër, u kërkon pronarëve të lokaleve të mbajnë dritaret e hapura (!).
Më poshtë noa.al ka publikuar urdhrin e plotë dhe hartën e rrugëve ku do të ekzekutohet duke nisur nga nesër në mëngjes:
"Duke filluar prej orës 07:00 e datës 20 Tetor 2013 deri në një njoftim të dytë, nga shërbimet e Policisë së Kryeqytetit do të bëhet bllokimi i zonës:
• Rruga “Arben Broci” nga kryqëzimi i rrugës Elbasanit deri tek Kinoklubi i Qytetit Studenti;
• Nga Kinoklubi i Qytetit Studenti deri te fusha e sportit;
• Fusha e sportit deri tek disko Calvin, në rrugën e Elbasanit;
• Disko Calvin deri tek Fakulteti Ekonomik;
• Gjithë gjatësia e rrugës “Gramos Pashko”.
Gjatë kohës së përcaktuar, në këtë zonë nuk do të lejohet qëndrimi apo lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve. Lokalet përreth objektit dhe brenda zonës do të jenë të mbyllura. Policia e Shtetit këshillon pronarët dhe administratorët e tyre që të mbajnë dritaret e lokaleve të hapura.
Policia e Shtetit rezervon të drejtën të bllokojë plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve në segmentin nga Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave, deri në një njoftim të dytë", - përfundon njoftimi zyrtar nga Ministria e Brendshme.