English

Spiropali: Ja pse u pezullua Denion Meidani. Letra e plotë

Elisa Spiropali, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, përmes një letre të hapur ka shpjeguar për të qënë transparente ndaj atij që ajo i ka borxh, vetëm PUBLIKUT, arsyet e pezullimit të Ish-shefit të Antikontrabandës në administratën doganore, djalit të ish-presidentit Rexhep Mejdani.

Letra e plotë

Ish-shefi i Antikontrabandës në administratën doganore, ai të cilin asnjë gazetë dhe asnjë televizion nuk harron ta cilësojë çun i cilit babi është, nuk mban mend kur, si dhe pse, është pezulluar. Nëpër tym përmend "Kodin e Etikës".

Ky është një problem i madh.

Jo për ish-shefin e Antikontrabandës, se ish-shefi, meqenëse shkelësi është vetë ai, flet si i intereson. Problem është për gjithë të tjerët që zënë kokën me duar kur shohin dhe dëgjojnë cilin paskan pasur shef të Antikontrabandës, emëruar në të ngrysur të qeverisë që na la të gjitha përveç shëndetit.

Kur Etika respektohet, harrohen shkeljet e rralla të saj.

Kur Etika nuk respektohet harrohen shkeljet e shpeshta.

Ky i dyti është rasti me ish-shefin.

Pas këtij "harrimi" të ish-shefit, kemi plotësisht të drejtë të mendojmë se ky ish-shef rastet e respektimit të Etikes i ka pasur aq të rralla sa i mban mend, ndërsa rastet e shkeljes së Etikës aq të shpeshta sa nuk i mban mend.

Por ish-shefi i Antikontrabandës s'mjaftohet me shkeljet e shumta që nuk i mban mend, shkon edhe më larg. Si shkelës i regjur i çdo kodi detyre, si në disa detyra të larta ku ka qenë dhe është shkarkuar vazhdimisht, me shkeljet s'ka të sosur.

Del, për shembull, në televizor, ku, mes tjerash, dy vaporë me rrena deshi t'i shesë për dy vaporë me skrap.

Në atë dalje televizive ku provoi me gojën e vet marrëdhënien e deformuar që ka me etikën dhe logjikën, mua si Drejtore e Administratës Doganore më bëri të reflektoj lidhur me masën e dënimit aq të lehtë që i dhashë vetëm duke e pezulluar.

Por vrapi i ish-shefit të Antikontrabandës për të shkelur të gjitha kodet duke shqiptuar vapora me rrena, s'ka të ndalur. Atë mbrëmje në televizor, jo vetëm gënjeu, por gënjeu si një mashtrues i regjur, buzagaz, duke ngatërruar përmes kombinacionesh delirante, deri edhe kompani të mëdha, madje deri edhe shtete të mëdha, e të tjera e të tjera.

Nuk më përket mua t'i kujtoj ish-vartësit tim atë që ish-vartësi im e ka harruar. Unë nuk jam Drejtore e Doganave për t'u kujtuar vartësve në administratën doganore shkeljet. Unë këtë detyrë e kam, ndër të tjera, edhe që vartësit për shkeljet t'i dënoj.

Ish-shefi dhe ndonjë tjetër që ende nuk e di, le ta mësojë se; Edukatën e jep familja dhe dijet i jep shkolla. Kur nis një punë është e nënkuptuar se je edhe i edukuar edhe i mësuar.

Puna nuk është familje që të edukon, as shkollë që të mëson. Nëse ndodh, si në rastin e ish-shefit, që gjatë punës nuk rezulton të jesh fort i edukuar dhe as fort i mësuar, jo vetëm unë, cilido Drejtor merr masa. Sado shkolla të kesh bërë, sado tituj të të kenë dhuruar, sado vaporë me rrena të përhapësh me anë të televizorit.

Me këtë rast dua t'i bëj publikut të ditur disa gjëra. Numri i bashkëshortëve, bashkëshorteve, bijve, bijve, kunatave, nipave dhe stërnipave, xhaxhallarëve, dajave, hallave, që ende përkohësisht vazhdojnë të jenë të punësuar në dogana, është pabesueshmërisht i madh.

Numri i telefonatave që po më bëhen për të mbajtur në punë këtë oqean nepotizmi dhe klientelizmi, është gjithashtu tej çdo përfytyrimi.

Botëkuptimi im si njeri që çdo milimetër të rrugës së jetës e kam bërë me forcat e mia, është në kundërshtim të hapur dhe flagrant, totalisht i kundërt me sa po më shohin sytë e po më dëgjojnë veshët. Përgjegjësia ime intelektuale, humane, profesionale, nuk e pranon kurrsesi këtë gjendje.

Kjo gjendje është, pak të thuash, e padurueshme.. Brenda kësaj tabloje rasti i ish-shefit, jo duket, është, qesharak.

Pohimet publike të Denion Meidanit, gjoja i pezulluar prej meje për shkak të lidhjeve të mia të errëta ekonomike krijuar me kompaninë në fjalë, janë thjesht broçkulla të neveritshme.

Me këtë rast dua t'i bëj me dije publikut se ish-shefi nuk ka asnjë talent tjetër veç të përdorurit pa vend të mbiemrit të tij të nderuar. Ai është pezulluar nga detyra për paaftësi, mungesë profesionalizmi, dëmtim të imazhit të institucionit.

Denion Meidani është krejt i papërshtatshëm për t'i shërbyer shtetit në atë detyrë të lartë e delikate. Me pezullimin, jam plotësisht e bindur se ndaj tij kam marrë masën e duhur.

Denion Meidani do kalojë në komision disiplinor ku do gjykohet për performancën e tij etike-profesionale. Lidhur me pretendimet e tij për kompaninë në fjalë, Kurum do paguajë një më një të gjitha detyrimet ndaj shtetit shqiptar.

Unë vetë, në shembullin e prindërve të m'i, të edukatës me të cilën ata më kanë brumosur, po jetoj dhe do jetoj me atë që siguroj vetëm dhe vetëm nga puna e pareshtur.

Kjo letër nuk i drejtohet kurrsesi personit apo personave të sipërpërmendur. Këtë letër unë j’a adresoj kurrkujt tjetër përpos të vetmit ndaj të cilit kam borxh, Publikut.

KOMENTE