Kryeministri Rama nuk i harron kollaj aleatët e vjetër të Partisë socialiste.
Tashmë në krye të arkivave të shtetit është emëruar dhe prezantuar zyrtarisht Kryetari i Aleancës Arbnore Kombëtare, Gjet Ndoj.
Ndoj i emëruar më herët dhe si negociator në diskutimet e Ramës me aleatët, ka garuar me të majtët në dy zgjedhjet e fundit. Gjet Ndoj, me profesion historian do të zëvendësojë në krye të Arkivës së Shtetit Nevila Nikën. Emërimi i firmosur dy ditë më parë është zyrtarizuar me prezantimin e tij dje në institucion. Marrëveshja parazgjedhore parashikon poste dhe për aleatët historikë të Partisë Socialiste, Partinë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit dhe Partinë Demokracia Sociale të Paskal Milos. Edhe pse ende nuk ka propozime nga radhët e tyre, pritet që Rama të mos lerë në harresë aleatët e vjetër.