Policia Bashkiake ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike. Aksioni është përqendruar sot përgjatë bulevardit “Zogu i Parë”, në njësinë bashkiake nr. 9. Ky bulevard ka qenë problematik, sa i përket tregtimit në mënyrë të paligjshme nga ana e shitësve ambulantë dhe subjekteve tregtare. Gjatë aksionit, Policia Bashkiake ka bërë të mundur vendosjen e gjobave dhe bllokimin e mallit për 7 subjekte.Drejtori i Policisë Bashkiake Vullnet Topalli ka shprehur vendosmërinë për të vijuar punën, për lirimin e të gjithë hapësirave publike në kryeqytet, hapësira të cilat u përkasin qytetarëve të Tiranës dhe jo individëve apo subjekteve të veçanta, si edhe për të mbështetur çdo tregtar apo subjekt i cili tregton në mënyrë të ligjshme. Aksioni do të vijojë më pas edhe në “Tregun Elektrik” si dhe në çdo rrugë dhe rrugicë të kryeqytetit, edhe në ditët në vijim.
“Ndodhemi në bulevardin “Zogu i Parë” dhe pikërisht përpara Spitalit Gjineokologjik. Një situatë e tillë e shitësve ambulantë është në syrin tonë por edhe vështrimin e të gjithëve, një situatë e pakëndshme. Në punën rutinë, të përditshme të Policisë Bashkiake është edhe ky subjekt, pasi ne kemi njoftuar disa herë këto subjekte që tregtojnë mallra të ndryshme dhe subjektet kanë reaguar jo në zbatim të urdhrit të Policisë Bashkiake për largimin e tyre.
Sot, Policia Bashkiake ka ndërmarrë një hap, duke u bllokuar aktivitetin dhe mallin këtyre subjekteve që nuk i janë bindur urdhrit të Policisë Bashkiake. Kjo nuk mund të tolerohet më, si këto subjekte dhe të tjerë në rrugët e Tiranës. Sot, Policia Bashkiake, ashtu si çdo ditë tjetër po vazhdon të kryejë të njëjtën detyrë dhe është e vendosur ta kryejë këtë detyrë deri në fund, për sa kohë këto subjekte nuk denjojnë të zbatojnë urdhrat dhe vazhdojnë në mënyrë të palicencuar, në mënyrë të kundraligjshme që të zhvillojnë aktivitetin e tyre tregtar” - u shpreh Topalli.