English

Zeneli: Në krye të burgjeve, trafikanti i qenieve njerëzore. Kjo qeveri ka rënë moralisht, pa mbushur të 40-at

Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Alban Zeneli:

Në prill të vitit 2003, Enrik Sulejmani u arrestua me akuzën e trafikimit të qënieve njerëzore. Të gjithë mediat kombëtare, por dhe ato ndërkombëtare, për javë të tëra, i treguan qytetarëve se si Rinasi, aeorporti i vetëm ndërkombëtar në vend, ishte kthyer në portën e trafikut të qenieve njerëzore.

Kryepolici i Rinasit, rojtari që qytetarët i kishin besuar portën, e përdori atë për trafik ndërkombëtar të qenieve njerëzore, duke i vënë një njollë të madhe policisë shqiptare në të gjitha mediat ndërkombëtare dhe duke e futur Shqipërinë në listat e zeza të trafikut.

Por, pak ditë më parë, Enrik Sulejmani rilindi, u gradua, u emërua Drejtor i Pergjithshëm i Policisë së Burgjeve. Njeriu që u shkarkua nga një ish-ministër socialist sot me LSI-në si trafikant dhe njollë turpi i policisë së shtetit para 10 vitesh, u rilind pak ditë më parë duke u emëruar në krye të rreth 3000 policëve të burgjeve, dhe u ngarkua të ruaje të gjitha bandat e trafikut ndërkombëtar.

Ai që porten që lidhte Shqipërinë me boten, e shndërroi në portën e trafikut ndërkombëtar, sot pas 10 vitesh po i besojnë çelësat e qelive të trafikantëve.

Por, kjo nuk është pengesë për mazhorancën Rama - Meta. Pa asnjë kriter, pa asnjë konkurs, në mungesë të plotë të transparencës me publikun, në kundërshtim të hapur me ligjin, ata emëruan në pozicionin më të lartë të policisë së burgjeve, kryegardianin, një krye të akuzuar për trafik ndërkombëtar, duke kërcënuar sigurinë publike në vend.

Këto janë standartet e kësaj qeverie.

Edhe vende me despotizëm dhe mungesë të theksuar të ligjit, edhe vende si ato ku na ka futur në listë kryeministri i vendit, nuk ndodhin arbitraritete kaq të mëdha me emërimin e njerëzve në postet me te rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë publike të qytetarëve.

Sulejmani është në serinë e shkeljeve të ligjit me emërimet që janë bërë në Policinë e Shtetit. Shkelësit serialë të ligjit në këtë rast kanë shkuar shumë larg.

Të emërosh të akuzuarin për një nga krimet më të rënda në këtë vend, për një krim që Shqipëria është renditur në listat më të zeza ndërkombëtare, për një fenomen që e kanë vuajtur shqiptarët, është një tallje e madhe me qytetarët e vendit, një tallje e madhe me të gjitha përpjekjet që janë bërë deri më sot për të arritur disa standarde në polici, në burgje e kudo.

Me këtë emërim, kjo qeveri ka rënë moralisht, ende pa mbushur të 40-at.

KOMENTE