Tre kryeministrat, ai i Shqipërisë Edi Rama, i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, janë takuar sot në Kosovë, ndërkohë që është përuruar terminali i ri “Adem Jashari” në aeroportin e Prishtinës.
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur i pari në Kosovë, ku është pritur me një ceremoni zyrtare nga homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, ndërsa 1 orë më pas ka mbërritur edhe kryeministri i Turqisë Erdogan i shoqëruar edhe nga bashkëshortja.
Dy kryeministrat, ai i Shqipërisë dhe i Turqisë kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së terminalit të aeroportit ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, ndërsa më pas do të ketë një takim mes tre kryeministrave Rama-Thaçi-Erdogan në Prizren.
Në terminalin e ri të aeroportit janë investuar mbi 100 milionë euro, duke e shndërruar kështu aeroportin e Prishtinës në më të madhin dhe më modernin në rajon.
Rama, vizitori i parë i terminalit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është vizitori i parë i terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i cili u inaugurua sot.
Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, përmes rrjetit social Twitter ka njoftuar se kryeministri Rama tashmë ka arritur në aeroport, duke qenë kështu vizitori i parë i terminalit të ri.
Erdogan: Jam në shtëpinë time
Unë kur e vizitoj Kosovën e ndjej vetën si në shtëpinë time. Sa herë vij këtu shoh përparime të vazhdueshme në Kosovë. Turqia ka qenë ndër të parat shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë Kosovën.