Ditën e djeshme Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi seancë dëgjimore me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për masat e marra në lidhje me strehimin e familjeve rome, si dhe për pagesat e personave me aftësi të kufizuar.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin anëtarët e Komisionit, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, Avokati i Popullit, Igli Totozani, Komisioneri për Diskriminim, znj. Irma Baraku.
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj së bashku me Avokatin e Popullit, Igli Totozani shtruan një sërë problematikash për familjet rome, në lidhje me strehimin afatgjatë, regjistrimin e romëve, pasi si të paregjistruar nuk përfitojnë shërbimin shëndetësor dhe ndihmë ekonomike, si dhe çështja e arsimimit.
Gjatë fjalës së tij, z. Veliaj theksoi se reparti ushtarak në Shishtufinë ishte i vetmi vend ku mund të strehoheshin familjet rome.
I pyetur nga kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi se pse, nuk u përdor Sharra, ministri z.Veliaj iu përgjigj se, "kjo zonë nuk i plotëson kushtet e strehimit sepse nuk ka ujë, energji elektrike dhe është 45 minuta larg nga stacioni i autobuzit ".
Ndërsa, Avokati i Popullit, Igli Totozani tha se, institucioni që ai drejton bashkë me disa organizata kanë hartuar 4 rekomandime për zgjidhjen e situatës së komunitet rom dhe këto do ti kthejë në nisma ligjore. Avokati i Popullit pritet të nxjerrë një raport të detajuar në lidhje me situatën e romëve në të gjithë Shqipërinë.