English

Bosdo: Qeveria vazhdon të heshtë dhe të injoroje emergjencën e banorëve të përmbytur

Qeveria vazhdon të heshtë dhe të injoroje emergjencën në të cilën ndodhen afro 700 familje të kryeqytetit. Edhe pas 10 ditësh, asnjë qeveritar, asnjë deputet i majtë nuk është kujtuar për ta. Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo dhe kryetari i njësisë bashkiake nr. 11 ishin pranë familjeve të përmbytura. Zoti Bozdo ka nënvizuar se ndonëse Edi Rama mori me aktin normativ 100 milionë dollarë për shpenzime, nuk i akordoi as dhe një dollar të vetëm 700 familjeve të përmbytura.

“Kanë 10 ditë që janë përmbytur, jetojnë në qiell të hapur, sepse lumi ka marrë gjithçka, nuk kanë as mjete shtëpiake, as elektro-shtëpiake. Kanë 10 ditë që askush nga qeveria qendrore, me gjithë kërkesat tona të njëpasnjëshme, për të shpallur gjendjen e emergjencave, nuk kujtohet.

Dje, kryeministri Rama ka kaluar aktin normativ të ndryshimit të buxhetit, për vitin 2013. Janë programuar plot 100 milionë dollarë për shpenzime, zyra, pritje, pagesa dhe nga këto 100 milionë dollarë, qoftë edhe një dollar i vetëm nuk është kujtuar që t’u takojë këtyre njerëzve. Janë 700 familje që sot ndodhen në pikë të hallit. Kanë nevojë për ushqime, për përkujdesje, kanë nevojë për një batanije apo qoftë edhe për kontaktin njerëzor“ - u shpreh z. Bozdo.

Nga ana e tij, kryetari i Njësisë Bashkiake nr.11, z. Haki Mustafa theksoi:

“Bashkia, duke e parë që nuk ka funksionuar shteti, ka ngritur 8 komisione, pothuajse janë në prag të vlerësimit përfundimtar. Mua më habit një fakt. Këta qytetarë kanë nevojë për emergjencën e shpejtë dhe pastaj për të madhen më vonë. Një shtet nuk mund të thotë që nuk mund t’ua sjellë 600 familjeve, një pako ushqime, të sjellë një batanije dhe një krevat që të flenë këta qytetarë, pastaj për dëmet që mund të jenë shumë të mëdha, mund të thonë presim 5 muaj, 6 muaj, një vit do ju shpërblejmë, por duhet të jenë pranë këtij halli”.

KOMENTE