Deklarata për media e zëdhënëses së PD-së Laura Vorpsi:
Partia Demokratike i kujton Kryeministrit të vendit se politika e jashtme është një nga kolonat më të rëndësishme të shtetit dhe për këtë arsye kërkon maturi, pjekuri dhe kompetencë.
Deklarimet e fundit të Kryeministrit janë larg të qenit të matura, të pjekura dhe me kompetencë.
T’i drejtohesh kryeministrit të Kosovës, me shprehjen: “Kryeministër i shqiptarëve të Kosovës”, është një gafë amatorësh. Kryeministri i Kosovës, është gjithashtu edhe Kryeministër i pakicave që jetojnë në këtë republikë, është Kryeministër i të gjithë qytetarëve atje.
Të flasësh për politikën e jashtme nuk është si t’i japësh drejtim punëve të këshillit teknik të Bashkisë.
Reagimi masiv i analistëve, i komentuesve, por dhe i shumë shqiptarëve në rrjetet sociale dhe kudo, vjen pas këtyre qëndrimeve amatore të Kryeministrit.
I pakuptueshëm është reagimi i z. Rama ndaj tyre, duke i quajtur “idiotë”, siç i cilësoi ai në një intervistë televizive, kritikët ndaj tij.
Kjo mënyrë të shprehuri është e papranueshme për një Kryeministër, dhe është po aq amatore dhe joserioze sa mënyra me të cilën ai bën politikën e jashtme.