English

Forumi ekonomik Shqipëri-Izrael. Peleshi dhe Panariti bëhen pjesë e saj

Zv. Kryeministri i Shqipërisë, z. Niko Peleshi dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti morën pjesë në forumin ekonomik Shqipëri-Izrael, të shoqëruar nga një numër shumë i madh biznesmenësh shqiptarë. Të pranishëm në këtë forum ishin zyrtarë të qeverisë izraelite dhe krerë të kompanive të fuqishme izraelite.

Në fjalën e tij në këtë forum zv. Kryeministri Peleshi shpalosi prioritetet e qeverisë shqiptare duke theksuar se modeli i ri ekonomik i kësaj qeverie do të fokusohet të rritja ekonomike dhe prodhimi. Zv.Kryeministri Peleshi e vuri theksin te rritja e bashkëpunimit dypalësh në sektorët prioritarë si bujqësia, energjia, turizmi etj. Z. Peleshi theksoi se shkëmbimi bilateral mes dy vendeve ka arritur në 90 mln euro vitin e shkuar dhe rreth 36 kompani izraelite janë prezente ne tregjet shqiptare, një shenjë e mirë që duhet të vazhdojë në nivele më të larta me sipërmarrje të mëdha që vijnë nga fusha ku Izraeli është lider në treg si në bujqësi, teknologji, menaxhim territori, kujdes shëndetësor etj. Ai me këtë rast ftoi bizneset izraelite të investojnë në Shqipëri.
Në fjalën e tij në këtë forum, ministri Panariti bëri një paraqitje të gjendjes ku ndodhet sot bujqësia shqiptare, e cila është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Kontributi i bujqësisë aktualisht ka arritur në 17 % të gjithë prodhimit të brendshëm. Rreth 50 % e popullsisë jeton në zonat rurale dhe dhe 60% e forcës së punës punon në bujqësi dhe fushat e tjera që lidhen me të. Ministri Panariti shpjegoi se sektori i bujqësisë vuan nga parcelizimi në ferma shumë të vogla dhe fragmentimi i tokës bujqësore, që është një barrierrë për prodhimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore. Në këtë kuadër ai kërkoi ndihmën e investimeve izraelite për të investuar në krijimin e fermave pilot fillimisht në tokat bujqësore që janë pronë shtetërore për ta shtrirë këtë model më pas dhe në fermat e bashkuara të vetë fermerëve.
Veç pjesëmarrjes në forum z. Peleshi dhe z. Panariti zhvilluan një sërë takimesh me grupe të fuqishme izraelitësh. Në takimin me drejtorin e kompanisë ‘Mekorot’, që është kompania e dytë në botë për trajtimin e ujërave, u ra dakord që të bëhet një studim fizibilieti në Shqipëri, për të dhënë ndihmë konkrete në një nga prioritetet e qeverisë është dërgimi i ujit në parcela.
U zhvilluan takime dhe me Ministrin e Bujqësisë z. Yair Shamir, me të cilin u ra dakord të forcohet bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, por dhe në sektorë të tjerë të rëndësisshëm.

Një takim i veçantë ishte dhe me drejtuesit e grupit LR, një kompani e njohur në gjithë botën për teknologjitë e saj moderne në bujqësi. Në këtë takim u diskutua për mundësinë e ngritjes së modelit të një apo dy fermave pilot më pajisje të reja dhe teknologji moderne.
Veç takimeve, u zhvilluan edhe disa vizita të rëndësishme si në kompaninë Mekorot, në Shepdan për të parë rehabilitimin e ujërave të zeza e të bardha, si dhe një vizitë në Institutin vullkanik, ku fokusi ishte te fusha e veterinarisë dhe të bimëve, farave etj. Kjo përvojë do të shërbejë për të ngritur dhe zbatuar në Shqipëri praktikat më të mira izraelite për zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

KOMENTE