Jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe dhe kudo që janë në kundështim me ligjin do të prishen.
Një tjetër godinë 7 katëshe do të hidhet në erë me eksploziv mëngjesin e së dielës në qytetin e Vlorës.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të jetë i pranishëm gjatë shpërthimit që do të bëhet në qytetin bregdetar. Kjo godinë do të prishet me qëllim hapjen e terrenit për të ndërtuar një shëtitore. Në këtë kuadër, Ministria e Brendshme ka bërë publike dhe rrugët ku nuk do të qarkullohet nesër në qytetin e Vlorës, nga ora 07:00 deri në orën 16:00.
Në njoftimin e ministrisë thuhet:
“Ministria e Punëve të Brendshme informon opinionin publik e në mënyrë të veçantë banorët e qytetit të Vlorës se duke filluar prej orës 07:00 e deri në orën 16.00 të datës 27 Tetor 2013, do të ketë regjim të kufizuar të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve në rrugën “Çamëria” në qytetin e Vlorës dhe rrugët dytësore të lidhura me të”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
“Policia e Shtetit këshillon pronarët dhe administratorët e tyre që të mbajnë dritaret e lokaleve të hapura. Policia e Shtetit rezervon të drejtën të bllokojë plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve në segmentin Skelë - Uji i Ftohtë”.