Deputeti socialist i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste, është koordinatori kombëtar i kryeministrit për ndarjen e drejtorive. Balla është marrë me ndarjen e drejtorive në qarqe mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndarje e cila është bërë në masën 50% mes dy partive, raporton “BalkanWeb”.
Ndërsa LSI i ka emëruar tashmë drejtorët e saj në të gjitha qarqet, me përjashtim të rasteve kur ata do të kalojnë përmes konkursit, PS-ja ende nuk e ka përfunduar këtë proces.
Ditët e fundit Balla është personi me të cilin kontaktojnë deputetët e të gjitha qarqeve për të bërë emërimet në drejtoritë kryesore. Pasi merr propozimet me emrat e kandidatëve për drejtorë, Balla kontakton me kryeministrin Rama, i cili jep dhe miratimin përfundimtar për emërimin e drejtorit.
Mësohet se emërimet po bëhen përmes propozimeve që vijnë nga deputetët e qarqeve, të cilët kanë tashmë database-n e burimeve njerëzore dhe elektorale të zonave të tyre. Emërimet pritet të përfundojnë javën e ardhshme, për t’u dhënë mundësi drejtuesve të rinj të nisin punën e tyre.