Ornela Manjan - Rreth 20 biznese të mëdha kanë falimentuar në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me 20 kërkesa për shpalljen e falimentit për bizneset që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj shtetit. Sipas ligjit në fuqi, autoritetet tatimore brenda 30 ditëve nga konstatimi i paaftësisë paguese të debitorit, në këtë rast të një biznesi të madh, janë të detyruara të paraqesin në gjykatë kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Tiranës mësohet se janë në proces gjykimi, kanë nisur procedurat për shpalljen e falimentit, të 20 bizneseve, nga të cilat vetëm 2 biznese janë regjistruar vitin e shkuar, ndërsa 18 biznese VIP kanë nisur procedurat për të mbyllur aktivitetin ekono- mik gjatë këtij viti. Gjithsej në Shqipëri janë të regjistruar rreth 850 biznese VIP, që kontribuojnë në pjesën më të madhe të të ardhurave në buxhet.
Falimenti
Paaftësia për të paguar çon drejt mbylljes 20 biznese të mëdha. Ndikimi i krizës ekonomike në Shqipëri ka prekur pothuajse të gjithë sektorët pasi bizneset që janë drejt mbylljes operojnë në sektorë të ndryshëm. Kompani fluturimesh, ndërtimesh dhe deri te kompanitë e nxjerrjes dhe tregtimit të naftës kanë shfaqur paaftësi për shlyerjen e detyrimeve, fakt i cili i çon këto kompani drejt falimentimit. Gazeta “Shekulli” disponon listën me bizneset VIP që janë nw proces falimenti, për të cilat është kryer të paktën një seancë gjyqësore. Përfaqësuesit e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, jo vetëm kanë depozituar dosjet në gjykatë por kanë njohur trupat gjyqësore me pretendimet e tyre. Sipas ligjit në fuqi procedura e falimentimit hapet vetëm me kërkesën e debitorit ose të kreditorëve. Në rastin e personave juridikë procedura e falimentimit mund të hapet edhe me kërkesën e organeve tatimore, kur rezulton një bilanc me humbje për një periudhë 3-vjeçare. Organet tatimore përjashtohen nga pagimi i taksave gjyqësore. Për fillimin e procedurës së falimentimit organet tatimore paraqesin në gjykatë kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit, dokumentacionin e shoqërisë (statutin, aktin e themelimit, numrin e NIPT-it) dhe bilancin me pasqyrat financiare të shoqërisë, për të cilën kërkohet fillimi i procedurës së falimentimit.
Asistenca e tatimeve
Lidhur me shërbimin elektronik, ka asistencë nga Drejtoria e Tatimeve dhe bizneset e kanë përdorur atë rreth 50 për qind. Rreth 20 për qind prej tyre deklarojnë se ndihma e kërkuar ka qenë e shpejtë nga administrata tatimore, 25 për qind thonë se asistenca e tyre ishte ndihmëse, 9 për qind deklarojnë se ajo ka qenë e vonuar ndërsa 7 për qind deklarojnë se nuk kanë marrë përgjigje nga administrata lidhur me nevojën e tyre për asistencë. Vetëm 1 për qind deklarojnë se ndihma e dhënë ka qenë e paqartë. Kontaktet e tatimorëve me biznesin kanë ardhur në zbritje që nga viti 2010. Kjo shpreh faktin se një prej qëllimeve të shërbimeve elektronike është ulja e korrupsionit nëpërmjet uljes së kontakteve të zyrtarëve të tatimeve me biznesin.
Dosja e detyrimeve tatimore
Administrata tatimore krijon dhe përditëson dosjen e detyrimeve tatimore për çdo biznes në të cilin regjistrohen të gjitha detyrimet e tatimpaguesit sipas kategorisë së detyrimit, interesat, gjobat dhe pagesat që i takojnë tatimpaguesit. Në këtë dosje është e përcaktuar mënyra dhe afati i ruajtjes së të dhënave. Ndërkohë administrata tatimore, vë në dispozicion dhe garanton në rrugë elektronike aksesin e tatimpaguesit në dosjen e tij.
Lista e bizneseve për falimentim
1. Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentimit për shoqërinë Hydroelectronic Company
2. Drejtoria Tatimore Tiranë Falimentimit për shoqërinë Envialba shpk
3 .Drejtoria Tatimore Tiranë Falimentimit për shoqërinë TV Alsat
4. Drejtoria Tatimore Tiranë Falimentimit për shoqërinë MT FIDAS shpk
5.Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentimit për shoqërinë: “Best Construction Alb” sh.p.k.
6. Drejtoria Tatimore Tiranë Falimentit për shoqërinë “Albatros Airways” sh.p.k.
7. Drejtoria Tatimore Tiranë Falimentimit për shoqërinë Ronker Tirana shpk
8. Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentimit per shoqerine Italrom Albania shpk
9. Bajram Malaj Falimentit të shoqërisë huamarrëse (subjektit) “Sude”.
10. Bajram Malaj Falimentit të shoqërisë huamarrëse (subjektit) “Nahlel”.
11.Bajram Malaj Falimentit të shoqërisë huamarrëse(subjektit) “Beno”.
12. Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentimit për shoqërin: 'CT COMPUTERS AL' shpk.
13. Drejtoria Tatimore Durrës Falimentin për subjekti 'LO & MU 2005' shpk
14. Drejtoria Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentimit për 'DNX NITRO IND KIMIKE' shpk
15.Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentimi për shoqërinë 'Inter GAz' sha
16.Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentimi për shoqërinë 'GELDAK' sha
17. Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentimit për shoqërinë: 'SAE Power Lines'
18. Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentimi për shoqërinë 'KUID' shpk
19. Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentit për shoqërinë 'Taci Oil International Trading' sh.a
20. Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj Falimentimit për shoqërinë : 'Europrogres' sha
Fullani, bankat mëmë të favorizojnë kreditimin
Guvernatori Ardian Fullani e ka vënë sërish theksin në rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit midis grupeve bankare të vendeve të origjinës dhe atyre pritëse jashtë Bashkimit Evropian, teksa ka shprehur disa herë shqetësimin për uljen e ekspozimit dhe investimeve nga degët e bankave të mëdha perëndimore në vend. Fullani e ka shprehur shqetësimin e tij në Forumin e Plotë, të Nismës së Vjena II, i cili i zhvilloi punimet në Bruksel, Belgjikë. Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, Guvernatori Fullani theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit midis grupeve bankare të vendeve të origjinës dhe atyre pritëse jashtë Bashkimit Evropian, shmangien e efekteve negative të uljes së levës financiare (deleveraging), si dhe rigjallërimit të procesit të huadhënies ndaj vendeve të rajonit.
Shqipëria, si i vetmi vend joanëtar i Bashkimit Evropian që ka anëtarësi në Komitetin Drejtues të Nismës së Vjenës, është angazhuar të përfaqësojë interesat e vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes evropiane. Si anëtar i Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës II, Guvernatori Fullani përfaqëson në këtë nismë jo vetëm Shqipërinë, por dhe qëndrimin dhe interesat e vendeve të tjera joanëtare me shtrirje gjeografike në Evropën Lindore dhe veçanërisht në atë Juglindore.
Në këtë kontekst, gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, shprehu propozimet e arritura gjatë takimit teknik me drejtues të bankave qendrore të rajonit, zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë. Forumi i këtij viti mblodhi së bashku drejtues të bankave qendrore nga vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, përfaqësues nga autoritetet mbikëqyrëse, nga ministritë e financave, nga bankat që operojnë në rajon, si dhe nga institucione financiare ndërkombëtare. Nisma e Vjenës II vijon aktivitetin e saj mbi suksesin e Nismës së Vjenës I, krijuar në kulmin e krizës financiare globale të peri udhës 2008-2009.