English

Rama: Kundërpërgjigje me të gjithë forcën e ligjit, ndaj kriminelëve

“Kundërpërgjigje me të gjithë forcën e ligjit, ndaj krimineleve dhe cënuesve të jetës së komisarëve dhe çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.” Ishte ky zotimi dhe premtimi që Kryeministri Rama bëri në ditën e policëve të rënë në krye të detyrës.

Me përulje dhe mirënjohje të thellë për punën dhe sakrificën e forcave të Policisë së Shtetit, Kryeministri theksoi angazhimin maksimal të qeverisë në mbështetje të misionit të tyre fisnik. “Tradhtia është e para që ne kemi nisur të çrrënjosim për të bërë së paku të barabartë, përballjen në këtë betejë dhe për ta fituar atë me mjetet e ligjit”, - u shpreh kryeministri, ndërsa theksoi se në të ardhmen krimi do të luftohet me rezultate konkrete dhe jo me statistika të manipuluara.

Për familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës, kryeministri garantoi se ata do të jenë në fokus të mbështetjes nga strukturat shtetërore, për të përmbushur në radhë të parë detyrimin moral ndaj të rënëve.

Për familjarët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, Kryeministri u angazhua se asnjë prej bashkëshorteve nuk do të jetë e papunë vitin e ardhshëm; fëmijët e tyre, asnjëri nuk do të jetë pa përkrahje vitin e ardhshëm, si dhe asnjë prej familjeve të policëve të vrarë nuk do të jetë pa strehim vitin e ardhshëm.

KOMENTE