Mjeku Kimi Drrasa e njeh shumë mirë gjendjen e poliklinikave shqiptare. Edhe pse në shtator 2012 i është dhënë titulli “Emër i Spikatur në fushën e Publikimeve Urologjike Europiane”, nga revista prestigjioze “European Urology”, (Prof.Francesko Montosi , Editor – in – Chief”), ai vazhdon të punojë në një prej atyre poliklinikave që të marrin frymën me burokraci. Në këtë intervistë me “Shekullin”, ai nuk do të rrëfejë gjithçka që e shqetëson, por burokracitë ama, do t’i denoncojë.
Dr.Kim çfarë mund të na thoni për problemet burokratike në mjekësi?
Punoj si Urolog në Poliklinikën Qendrore në Tiranë dhe shërbimi ambulator këtu është në kolaps të plotë nga ngarkesa e rëndë burokratike. Më keq janë mjekët e familjes. Atyre nuk po u lihet kohë të merren qetësisht me sëmundjen e pacientit. Ata mbushin formularë që nuk kanë asnjë vlerë në shëndetin e pacientit dhe më e keqja, e rëndojnë gjendjen e pacientit. Sepse mjekut të familjes nuk i del koha të merret me pacientin se mbushin me stres formularët që i janë shtuar çdo ditë.
Për mua, tani problem kryesor është një bllok i madh faturash (për mendimin tim kanë qenë për të pasuruar të pangopurit) që i mbushen çdo pacienti që vjen për vizitë. Kjo faturë blloku është një tmerr i vërtetë sepse edhe në bankë të shkosh të marrësh rrogën, duhet vetëm karta e identitetit kurse kjo faturë që mbushet për çdo pacient është makabre për mjekun. Ajo përmban emrin dhe mbiemrin e pacientit, moshën, numrin e librezës që është me 12 shifra, kodin e infermieres me 12 shifra të tjera, kodin e mjekut po me 12 shifra, kodin e të sëmurit, sërish 12 shifra, kodi i vizitës si urgjencë apo periodik dhe shumë të tjera. Dhe ky bllok mund të mbushet disa herë gjatë 1 jave sepse pacienti vjen disa herë për të njëjtin problem.
Po me kartelat e pacientëve?
Edhe para demokracisë ishte më e rregullt kjo punë sepse pacienti që vinte për konsultë tek specialisti, vinte i shoqëruar me kartelën personale të lagjes. Pacienti konsultohej dhe pasi i shënohej çdo gjë në kartelë, infermierja e familjes i merrte kartelat një ditë më pas. Kjo ishte diçka e mirë, pasi pacienti kishte njëkartelë të vetme dhe konsulta bëhej e plotë. Ka disa vjet që ISKSH-ja na ka detyruar që pacientët të kenë kartela personale për sëmundjen përkatëse tek çdo specialist. Por shumica e pacientëve të mi e të kolegëve të mi, kanë nga dy, tri sëmundje të tjera shoqëruese. Dhe të gjithë kanë kartelë tek çdo specialist. Pra, i bie që një pacient në poliklinikën qendrore ka 3-5 kartela njëkohësisht. Kjo është një burokraci shumë shqetësuese, pasi nuk e ndihmon fare pacientin, madje e përkeqëson gjendjen.
Si mund që të zgjidhet ky ngërç?
Mendoj që, së pari, pacienti të ketë një kartelë të vetme personale që e mban mjeku i familjes dhe për çdo konsultë që bën tek specialisti të shoqërohet me këtë kartelë. Së dyti, në çdo poliklinikë të ketë një kartelë të përbashkët qendrore dhe kur të vijë pacienti për konsultë tek specialisti të nxjerrë përpara kartelën që do të jetë në kartotekën e vetme të poliklinikës se specialiteteve e pastaj të vijë për konsultë tek specialisti. Dhe së fundmi, secili specialist të ketë kompjuter. Çdo vizitë e medikament që ka marrë e merr pacienti, të kompjuterizohet.
Profesor Kim po për gjobat çfarë mund të na thoni?
Kjo është një pikë e nxehtë sepse mjekët e familjes më tepër po edhe mjekët specialistë punojnë me frikën e gjobave që i vënë kontrollet. Kontrolli bëhet çdo tre muaj dhe më ka ndodhur shpesh kur shkoj në poliklinikë dhe shoh personelin të hutuar pasi “ka ardhur kontrolli nga ISKSHAnëtarija ose DRSKSH-ja” . Kontrollorët vijnë sikur çfarë do të kapin. Këtu dua të theksoj që në këtë rast preket e drejta themelore e mjekut dhe betimi i “Hipokratit” që kemi bërë kur kemi marrë diplomën. Ne jemi specialistë dhe pasi konsultojmë pacientin, japim mendimin tonë si specialistë për të mirën e pacientit. Ky rekomandim shkon te mjeku i familjes që e ekzekuton ose jo mendimin e specialistit.
Në këtë rast nuk ka pse të vijë kontroll. Ky të vijë te specialisti vetë në rastet kur dyshohet që firma jonë si specialistë mund të jetë falsifikuar dhe në këtë rast duhet të bëjë vetëm pyetjen: “Është kjo vula e firma juaj?” E me kaq të përfundojë puna e kontrollorit. Këtu dua të theksoj që deri më sot nuk ka ardhur asnjë kontroll për t’u shqetësuar për shëndetin e pacientit dhe për të parë më tepër rastet që një pacient është keqësuar pas mjekimit. Shpeshherë u kam thënë kontrollorëve se ata bëjnë kontroll burokratik.
Keni ndonjë rast personal?
Po, ishte një rast me prostatë. E konsultova, e shënova në kartelë dhe regjistër sipas rregullores. Pacienti erdhi te nesërmen (nuk dëgjonte mirë e ngatërroi çfarë i konsultova), e konsultova sërish dhe e regjistrova në shtesë kartelë dhe pas një muaji kur erdhi kontrolli më vuri gjobë 1000 lekë se nuk e kisha riregjistruar në kartelë. Para 4 muajve me erdhi kontrolli nga ISKSH-ja e çuditërisht më kërkonte regjistrat e viteve 2010- 2011. Këto janë paradokset që ndodhin në poliklinikat tona.
Ju jap edhe një rast konkret familjar. Babai im Prof.Dr.Maksut Drasa ishte diabetik dhe madje bëri dhe kolpo TA, pa qenë asnjëherë hipertonik dhe pësoihemiparezë. Në analizat rutinë 6-mujore që bënte sipas rregullores për të marrë ilaçin me rimbursim për diabetin (Gliceminë), ishte gjithmonë normal por në fakt, ai bëri dy herë hypoglicemi, brenda 2 viteve, e ra ne koma. Shpëtoi se unë jam mjek dhe e kapa shpejt se e kisha në observacion rigoroz.
Pra me kontrollet e DRSKSH-së e ISKSH-së, im atë figuronte në rregull e mjeku i familjes nuk u gjobit. Por në realitet, babai im, ishte dy herë duke ikur nga kjo botë për shkak të hypoglicemisë. Këtu normalisht lind pyetja: “Po popullin që i shikohet vetëm kartela për gjoba, një herë në 6 muaj si do ta mbrojmënga këto komplikime?”
Modeli që vjen nga jashtë
Gjatë bisedës me doktorin kërkuam një model për të ndjekur. Kim Drrasa na rrëfeu se në maj të vitit 2010, grupe – grupe, specialistët e poliklinikës qendrore shkuan për specializim në Ankara në spitalin dhe poliklinikën qendrore publike. “Atje kur vinte pacienti për konsultë tek urologu merrte numrin e vizitës tek sekretarja dhe sipas radhës futej në konsultë. Sa futej pacienti për konsulte, urologu shënonte në kompjuter numrin e siguracionit dhe emri dilte menjëherë në ekran bashkë me të gjitha diagnozat, analizat dhe konsultat që kishte bërë pacienti. Madje, dilnin edhe rastet e konsultës në ndonjë rreth tjetër.
Të tre urologët bënin secili, rreth 70 konsulta, gjatë ditës (ata punonin nga ora 8-12 dhe rifillonin konsultat ora 13-16 dhe pas kësaj mbyllej poliklinika, e nuk kishte turn të dytë si këtu). Pasi e konsultonte, urologu shënonte terapinë dhe analizat, i printonte, i firmoste dhe pacienti e merrte me vete si do-kument personal. Aty ishin tre urologë dhe çdo javë rrinte një urolog më i vjetër që firmoste mjekimet më të komplikuara. Në Ankara, pacienti mund të shkonte direkt në farmaci dhe të merrte ilaçet me rimbursim, me recetë të thjeshtë nga specialisti.
Mjafton që të paraqiste numrat e siguracionit dhe paguante 4 lira në farmaci dhe nëse donte të paguante më pak në farmaci shkonte te mjeku i familjes i cili i bënte recetë me formular tjetër. Ja, ky është një model i mirë”, tha profesori për “Shekullin”.
Problemet urologjike konsultohen te kirurgu i lagjes
Ky problem ka rreth 3 vite që është shumë shqetësues për pacientet e Tiranës që kane probleme urologjike. Kronologjikisht ka ndodhur kështu: Drejtuesit e ISKSH-së dhe DRSKSH- së shfaqën urrejtjen ndaj veteraneve të Luftës.
Në prill të 2010-ës, drejtori DRSKSH-së më kërcënoi personalisht dy herë me celular me këto fjalë: “Mos u jep ilaçin Omnic Ocas (për zmadhim prostate) veteranëve të Luftës sepse janë armiq e spiunë të popullit. Po ua dhe përsëri do ta heqim të drejtën e profesionit.” Ai ngatërronte frikën e tij me respektin tim për Veteranët e Luftës.
Unë nuk iu nënshtrova kërcënimeve të drejtorit dhe vazhdova t’u jap ilaçin. Pasi e panë mosbindjen time ndaj kërcënimit të tyre, atëherë drejtoresha e ISKSH-së nxori një urdhër me Nr.1320, datë 24/06/2010, ku më ndalonte të konsultoja jo vetëm veteranët, por edhe të gjithë pacientet me probleme urologjike të Tiranës.
Kompetencat e urologut ia kaloi kirurgëve të lagjeve (Tirana ka 20 të tillë) dhe që atë ditë edhe drejtori i DRSKSH- së të Tiranës e firmosi dhe ai, po atë ditë pacientet me probleme urologjike të Tiranës nuk erdhën më te urologu. Kirurget e lagjjeve nuk kanë licenca për të punuar si urologë dhe në mes të ditës, në zyrat e shtetit, bëjnë dëmtime të shëndetit të pacientit. Pacientet kane 3 vite e gjysmë që konsultohen te kirurgu. Kolegët e mi amerikanë e quajtën këtë që po ndodh “Krim kundër Njerezimit”. Ia shpjegova gjatë analizës vjetore (në maj 2013 në San Diego-California). Uroj që Z. Beqja dhe Z. Beci të anulojnëshkresën e lëshuar nga ISKSHja me Nr.1320, dt.24/06/2010. Kapitulli i turpshëm që kirurgët e lagjeve të punojnë si urologë duhet të mbyllet përfundimisht.