RTV “Ora News” ka pasur sot një mik të veçantë, ambasadorin e Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, Abdolmajid Mozaffari.
Ambasadori i Iranit është pritur nga presidenti Ylli Ndroqi dhe nga stafi i “Ora News” ndërsa më pas ka vizituar njëra pas tjetrës studiot e televizionit, investimet e reja por edhe ambjentet në të cilat ende vijon puna për të sjellë teknologjinë më të fundit.
Ambasadori iranian vizitoi studiot e emisionit “Tonight Ilva Tare”, “Mëngjes Express”, “Natën vonë” dhe “Jamais Vu”, dhe ka vlerësuar investimet e pakursyera të bëra nga presidenti i televizionit Zoti Ylli Ndroqi. Vlerësim që e përcolli edhe gjatë intervistës që pati në hapësirën e “Ora live”, ku natyrisht transmetimet vijonin të pandërprera.
“Jam i gëzuar që ndodhem në televizionin “Ora News”, megjithëse ndoshta nuk mund të japë një gjykim profesional pasi jam diplomat, por pash se këtu çdo gjë është e plotë dhe shumë profesionale dhe kjo më bën që të kuptoj se përse televizioni juaj është gjithnjë një televizion i suksesshëm” tha ambasadori.
Ai vlerësoi edhe marrëdhëniet e mira që mbizotërojnë mes dy vendeve duke evidentuar edhe gjërat e përbashkëta që kanë dy vendet tona si në kulturë, histori, fe, etj.
“Shqipëria dhe Irani kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësore veçanërisht këto marrëdhënie janë shtuar më shumë në kohën kur u hap edhe ambasada e Iranit. Ne kemi mjaft gjëra të përbashkëta në fushën e kulturës, historisë, fesë dhe mund të themi edhe të racës. Marrëdhëniet kanë ecur përpara pa asnjë problem. Dhe ne kemi shpresë që pas zgjedhjeve që u zhvilluan në Iran dhe pas zgjedhjeve në Shqipëri këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej. Ne jemi të gatshëm dhe shprehim vullnetin tonë për të punuar në ambasadë në fushën ekonomike, kulturë dhe në të gjithë fushat me interes të përbashkët. Dhe padyshim edhe mediat siç është edhe televizioni juaj luajnë një rol të rëndësishëm”, shtoi ambasadori.
Por a kanë një politikë të përbashkët edhe në politikat ndërkombëtare Shqipëria dhe Irani? Për ambasadorin Mozaffari edhe pse dy vendet ndjekin politika të ndryshme në rajon kjo nuk i zbeh aspak marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Iranit.
“Kuptohet se prioritetet janë të ndryshme. Ju keni prioritetet tuaja euroatlantike ndërsa ne jemi një vend në Gjirin Persik dhe kemi prioritetet tona rajonale që mund të jenë të ndryshme, por kjo nuk i zbeh gjërat e përbashkëta që mbizotërojnë mes dy vendeve” tha ambasadori.