English

Shqipëria do të shkatërrojë armët kimike të Sirisë. Pse vallë

Shqipëria u bë vendi i parë në botë në vitin 2007 e cila shkatërroi të gjitha armët kimike, ku në mënyrë të verifikueshme eliminoi 16 ton gaz mustard dhe agjentë të tjerë toksikë. E bëri këtë në një periudhë 6-mujore duke përdorur furrë djegieje gjermane dhe asistencë teknike zvicerane.

Bjorn Arne Johnson, kimist që është marrë me çështjen e armëve kimike prej më shumë se 30 vitesh, thotë në një intervistë për “Voice of Russia”, arsyet se pse Shqipëria vendosi të jetë pjesë e procesit për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.

Kur flasin për planin e shkatërrimit të armëve kimike, pse pikërisht Shqipëria? A e shihni si racional një vendim të tillë për të shkatërruar armët siriane në tokën shqiptare?

Shqipëria së fundmi ka shkatërruar të gjitha armët e saj, kështu që mendoj se për këtë arsye e kanë përzgjedhur si vend të mundshëm.

A mendoni se Shqipëria është i vetmi vend që teknikisht mund ta bëjë një gjë të tillë?

Jo, jam i sigurt që ka edhe vende të tjera. Por për momentin janë katër vende, të cilave iu është kërkuar një gjë e tillë: Shqipëria, Belgjika, Franca dhe Norvegjia. Prandaj kanë përfunduar tek Shqipëria, besoj.

A mund të na flisni për pasojat? Njerëzit kanë nisur që të bëhen nervozë kur dëgjojnë se armët kimike do shkatërrohen në vendin e tyre. Po ju pyes se sa e rrezikshme është një gjë e tillë? Çfarë pasojash ka për mjedisin? A ka rrezik për njerëzit që janë pranë vendeve të demontimit?

Natyrisht që është e rrezikshme. Por mendoj se siguria rreth vendeve të demontimit është gjithmonë e mirë dhe procedura është e njohur. Nuk mendoj se nëse bëhet në një vend me siguri, duhet të ketë probleme. Kështu që mendoj se askush nuk duhet të jetë i frikësuar.

Pyetja tjetër është se Shqipëria ka shkatërruar vetëm 16 ton, kurse Siria ka mijëra ton me gaz sarin? Si mund të transportohet diçka e tillë?

Ata kanë diskutuar për ta bërë diçka të tillë me anije. Por më duket se Suedia ka thënë se mund ta transportojë me avion. Dhe mendoj se kjo është e mundur që të bëhet nga Siria për në Shqipëri, për shkak se nuk duhet të kalojnë vende të tjera. Për shkak se kjo metodë është përdorur në Norvegji, mendoj se do jetë e pamundur për shkak se duhet të kalosh shumë vende dhe mendoj se do nuk do ketë një leje për ta bërë këtë. Por nga Siria në Shqipëri mendoj se kjo është e mundur.

Por nga pikëpamja teknike sa e mundur është që kjo të bëhet në mënyrë të sigurt? Duhet të kemi parasysh edhe presionin e ajrit, ndryshimet. A është e rrezikshme?

Nëse këto armë vendosen në kontejnerë të sigurt dhe futen në një avion si “Hercules”, mendoj se është e mundur që të bëhet një gjë e tillë. Nuk ka ndonjë presion të madh në një avion të tillë.

Mirë. Le të flasim për mundësinë që një gjë e tillë të bëhet në Siri, sa e vështirë mund të jetë për të krijuar një sistem të ngjashëm me atë në Shqipëri? A është e shtrenjtë kjo? Kërkon shumë për ta krijuar? Mund të duhet shumë kohë për të krijuar furra djegieje që mund të shkatërrojnë në mënyrë të sigurt këto armë në Siri?

Ndoshta do të duhet kohë për të bërë një gjë të tillë. Dhe mendoj se kjo është arsyeja pse nuk e bëjnë. Natyrisht Siria nuk është një vend i sigurt për ta bërë këtë gjë. Por kemi edhe një rezolutë që kërkon që Siria të largojë armët kimike nga vendi përpara fundit të vitit. Është një afat që askush nuk do ta shkelë.

Kjo ndoshta është një çështje më shumë politike: A mendoni se Shqipëria dhe shqiptarët do të pranojnë të merrnin pjesë në këtë proces? Qytetarët mund ta kundërshtojnë këtë gjë? Nuk mendoj se do të isha i lumtur që një gjë e tillë të ndodhte afër meje…

Sërish, është shumë e rëndësishme të kesh informacion për këtë gjë. Sepse siç e thashë, vetëm fakti që janë armë kimike i terrorizon njerëzit. Prandaj duhet një shpjegim dhe një garanci për atë që duhet bërë.

Mendoj se rreziku më i madh mund të jetë gjatë transportit. Sepse mund të mos jetë e frikshme në furrën e djegies por kur avion të kalon mbi krye...

Mendoj se duhet bërë me anije, por sërish do ketë diskutime. Suedia thotë se mund t’i largojë me avion. Por mendoj se këto gjëra do diskutohen, edhe pse unë preferoj anijen.

Cilat janë përfitimet e Shqipërisë?

Rusia do të jetë vendi që do të mbikëqyrë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Përveç asistencës në transportim dhe shkatërrim, Rusia do t’i paguajë Shqipërisë për këtë proces afërsisht 2 milionë dollar. Marrëveshja është arritur me negocimin e SHBA-ve.

Lajmi raportohet nga gazeta ruse “Kommersant”.

SHBA-të kanë kërkuar një vend me pagesë për shkatërrimin e këtyre armëve kimike, pas nuk u ofrua asnjë vend vullnetar. Fillimisht SHBA-të negociuan me Turqinë dhe Jordaninë por këto vende nuk pranuan. Më pas u arrit një marrëveshje me Norvegjinë për të marrë në konsideratë kërkesën, por në fund edhe ata refuzuan.

Faza e parë për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë nis sot më 1 nëntor, ndërsa faza e dytë më 15 nëntor. Organizata për ndalimin e Armëve Kimike (OPCË) ka rënë dakord me autoritetet siriane që këto armë të shkatërrohen jashtë territorit të Sirisë. Kushti i vetëm i Sirisë është që transporti i armëve të mos kryhet nga SHBA-të.

Në këtë situatë, Shqipëria mbetet e vetmja zgjidhje reale. Sipas ekspertëve, Tiranë është tërësisht e orientuar nga SHBA-të dhe Uashingtoni nuk mund ta refuzojë. Krahasuar me fqinjët Shqipëria ka një infrastrukturë më pak të zhvilluar, por ka një eksperiencë të mirë në këtë fushë gjashtë vite më parë, kur u bë vendi i parë në histori që shkatërron plotësisht armët kimike. Në 2007, Shqipëria shkatërroi rreth 16 tonë gaz mustardë dhe substanca të tjera toksike të akumuluara gjatë periudhës së Enver Hoxhës.

KOMENTE