English

Bushati në Francë. Takim me diasporën shqiptare në Lion dhe me përfaqësues të biznesit francez

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, u nis dje për një vizitë pune në Francë, ku do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Francës z. Laurent FABIUS.

Gjatë kësaj vizite, Ministri Bushati do të takohet edhe me z. Thierry Repentin, Ministër i Deleguar i Ngarkuar për Çështjet Evropiane, me Kryetaren e Komisionit të Politikës së Jashtme në Asamblenë Kombëtare, znj. Elisabeth Guigou. Ai do të zhvillojë disa takime të nivelit të lartë në Senat, me senatorë të ngarkuar për çështje të BE-së, të politikës së jashtme dhe sigurisë.

Gjithashtu, Ministri Bushati do të ketë takime edhe në Presidencën franceze. Ai do të mbajë një fjalë në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Së bashku me Ministren e Integrimit, znj. Klajda Gjosha, do të zhvillojnë një seancë dëgjimore në Komisionin e Çështjeve Evropiane të Asamblesë Kombëtare të Francës.

Ministri Bushati do të zhvillojë një vizitë edhe në qytetin e Lionit, ku do të takohet me autoritetet më të larta të pushtetit vendor, në Dhomën e Tregtisë, si dhe do të takohet me diasporën shqiptare në Lion.

Gjatë takimeve, do të trajtohen çështje që lidhen me agjendën evropiane të Shqipërisë, marrëdhëniet dypalëshe, rajonin, etj.

KOMENTE