Gazeta italiane “Corriere della Sera” botoi një artikull për fshatin e Lazaratit ditën e sotme. “Këndi i vetëm i ilegalitetit shtrihet mes plantacioneve të kanabisit”, shkruan gazeta italiane.
Era është e fortë dhe mjaft e njohur. Ndihet që në hyrje të Lazaratit, fshat i cili ndodhet rreth 230 km në jug të Tiranës. Gra dhe djem të rinj punojnë intensivisht, aq sa javët e fundit 700 prej tyre përfunduan në spital. Të gjithë kishin të njëjtat simptoma: diarre, të vjella dhe probleme kardiovaskulare.
Këto shqetësime kanë ardhur vetëm nga intoksikimi duke punuar mes plantacioneve të kanabisit. Hysni Lluka, përgjegjësi i urgjencës në spitalin e Gjirokastrës tha se të gjithë të sëmurët janë intoksikuar nga puna në plantacione.
Të hysh në Lazarat nuk është aspak e thjeshtë. Këtë e di edhe policia, e cila ka vite që nuk shkel aty. Këtë e dinë edhe gazetarët e vendit. Lazaratin e quajnë si “Fshati i marijuanës”, “Kryeqytetin evropian të hashashit”, apo edhe “Republika e Kanabisit”, shkruan “Corriere della Sera”.
Aty ka rreth 350 mijë bimë kanabisi të mbjella në 320 hektarë tokë. Çdo vit nga Lazarati dalin 900 ton kanabis për një vlerë prej 4.5 miliardë eurosh, sipas llogarive të Guardia di finanza-s italiane.
“Nuk jemi kriminelë”, thotë Afërdita, e cila ndan detyrat për gratë e tjera që punojnë me kanabisin në Lazarat. “Pa kanabisin do të kishim vdekur urie tashmë. Nuk mund të gjejmë dot punë tjetër”, vijon ajo.
Të rinj dhe të moshuar punojnë me orë të tëra në mbledhjen e kanabisit të korrur. Pasi mbledhin bimët e prera, ata i varin në tela që t’i lënë të thahen nën diell. “Pas disa orësh, të gjitha bimët e varura do të thahen dhe më pas do të qërohen për t’u paketuar”, thotë Afërdita.
Në Lazarat, disa familje të tëra punojnë për të konkurruar në treg me këtë produkt. Secila prej tyre arrin të prodhojë 1 ton kanabis në vit. Një kile kanabis kushton 300-320 euro. Popullsia e Lazaratit është diku tek 4 mijë banorë, por në ditët si këto, kur nis korrja dhe përpunimi, popullsia e Lazaratit dyfishohet. Pjesa tjetër janë thjeshtë punëtorë sezonalë. Ata vijnë nga Shqipëria e Mesme dhe e Jugut që në mëngjes në Lazarat dhe pasi punojnë kthehen pas perëndimit të Diellit në shtëpitë tyre. “Na paguajnë mirë, 3 mijë lekë në ditë”, thotë Marjola nga Vlora, teksa qëron bimët dhe i grupon boçet veçmas, gati për paketim.
“Falë zotit që kemi kanabisin”, thotë Agroni, një kultivues. “Nuk e imagjinoj dot se si do të jetonim po të mos kishim kanabisin. Na kanë harruar të gjithë: autoritete lokale, shteti, madje edhe të huajt”, vijon ai.
Për të rritur bimët e kanabisit, shpjegon Agroni, “nevojitet shumë ujë”. Uji në Lazarat nuk është i mjaftueshëm dhe nuk ka presionin e duhur, kështu që banorët sjellin autobote me ujë. Ndarja e punëve në Lazarat është kështu: gratë dhe djemtë e rinj merren me kultivimin, mbledhjen dhe paketimin. Burrat merren me transportin. Kanabisi ngarkohet në bagazhet e automjeteve. Një mënyrë tjetër e transportit është përdorimi i kafshëve si kali apo gomari, të cilët dërgohen nëpër shtigje ku nuk und t’i pikasë policia.
Italia është tregu kryesor që merr kanabisin e Lazaratit. Zakonisht kanabisi vjen në Itali përmes gomoneve apo anijeve. Sekuestrimi i fundit i kanabisit që ishte nisur për në Itali ndodhi në Durrës, ku u bllokuan 600 kg, i fshehur në një kamion që ishte nisur për në Bari.
“Nuk mund të ndërhyjmë në një mënyrë efikase në Lazarat”, deklaroi disa ditë më parë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi. “Ai vend është një njollë për ne. Kemi nevojë për mbështetjen e vendeve të tjera”, vijoi ai.
Dhe në të njëjtën linjë me qeverinë e re, Didi premtoi: “Do të nxjerrim para drejtësisë çdo polic të korruptuar”. Kultivimet në Lazarat janë rritur me 40% nga viti 2012. Ky konfirmim vjen edhe nga një raport i Departamentit amerikan të Shtetit.
Po ku përfundojnë të ardhurat? Një pjesë e tyre përdoret për investime në hotelet shqiptare, shpjegon një zyrtar i inteligjencës shqiptare, por pjesa tjetër shpenzohet për të blerë shtëpi në Itali, Spanjë dheTurqi./Shekulli/