Do të krijojmë një hapësirë publike spitalore, ku gjithkush të ndihet në territorin e një spitali evropian,” premtoi Kryeministri Edi Rama, në ditën e nisjes së projektit për gjelbërimin e hapësirave të Qendrës Universitare Spitalore “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Duke falënderuar Ministrin e Mjedisit për angazhimin në këtë projekt, si dhe drejtoren e re të QSUT-së për punën, Kryeministri bëri të ditur se ky projekt do të gjejë zbatim, gradualisht, në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Teksa mbolli një pemë në mënyrë simbolike, Kryeministri Rama tha se puna dhe sfidat për garantimin e një shërbimi spitalor, modern e bashkëkohor, brenda dhe jashtë mjediseve të spitalit, janë të mëdha, por plotësisht të realizueshme.
Në prononcimin e dhënë për mediat e pranishme, Kryeministri Rama u shpreh:
Jeni dëshmitarë që para afro dyzet ditësh, kishim një pazar me rroba dhe me qofte edhe me spital. Tani kemi një spital pa pazar dhe me një hapësirë publike që po ripërtërihet, po mbillet me pemë, po mirëmbahet dhe mbjelljet do të vazhdojnë.
E falënderoj Ministrin e Mjedisit për angazhimin e tij. Është një angazhim që do të shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Këtu, në këtë Qendër Spitalore Universitare, që është edhe spitali më i madh dhe më i rëndësishëm i Shqipërisë, ku vijnë mijëra vetë në ditë, ne do të kemi një hapësirë publike të standardeve evropiane. Një hapësirë publike spitalore, ku gjithkush që duhet të kalojë këtu, të ndihet në territorin e një spitali në Evropë dhe jo siç ishte deri përpara rreth 40 ditësh.
Ju falënderoj dhe përgëzoj drejtoren e re, përgëzoj stafin e saj, për punën e shkëlqyer që po bëjnë. Në vetëm pak ditë i kanë dhënë ajër mjediseve të spitalit. Sigurisht, puna është e jashtëzakonshme për t’u bërë. Ne nuk na tremb as volumi i saj i madh, as sfidat e panumërta që ka brenda mjediseve të spitalit për të garantuar një shërbim spitalor të standardeve evropiane. Ne do t’ia dalim!