English

Zgjedhjet komunale në Kosovë

Në Kosovë përfunduan votimet për pushtetin komunal, të parat në të cilat ishin përfshirë edhe komunat veriore të saj të banuara me shumicë serbe. Rreth gjysma e mbi një milion e 700 votuesve të regjistruar kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre që të zgjedhin kandidatët e mbi 100 subjekteve politike për të drejtuar 38 komuna të vendit.
Autoritetet vendase e ndërkombëtare gjatë tërë ditës së djeshme kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira e të drejta duke i cilësuar ato si sprovë shumë të rëndësishme për realizimin e aspiratave të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian.

Por edhe ditën e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka publikuar rezultatet paraprake ashtu siç kishte paralajmëruar.

Në një konferencë të mbajtur pas mesnate, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se arsyetimi për këtë është se nuk ka përfunduar ende procesi i numërimit në të gjitha komunat, si dhe mungesa totale e të dhënave nga katër komunat në veri të Kosovës.

Sidoqoftë nga vendvotimet e numëruara deri më tani, shumica e komunave të Kosovës do të shkojnë në raundin e dytë i cili pritet të zhvillohet me 1 dhjetor. Për sa i përket përqindjes, rezultatet janë këto. LDK është e para në prishtinë me 44 %, pas saj vjen vetëvendosje me 31.54%.

Për Prishtinën kanë mbetur edhe 20 vendvotime pa u numëruar dhe gjasat që kryeqyteti të shkojë në balotazh janë të mëdha.

Komunat në të cilat pritet të ketë ndërrim pushteti, ose të paktën votat paraprake e thonë këtë, janë Gjakova në të cilën kandidati i AAK-së Pal Lekaj ka më pak vota se Mimoza Kusari LILA e AKR-së. Pastaj është Gjilani ku duket një fitore e thellë e Lidhjes Demokratike të Kosovës duke mundur kështu PDK-në e kryeministrit Thaçi.
LDK-ja me kandidatin Gazmend Muhaxhiri thellon rezultatin edhe në Pejë duke fituar 40.46% të 88 përqind të votave të numëruara. Pas tij vjen kandidati i AAK-së Ali Berisha, njëherësh kryetar për dy mandate i Pejës. Berisha ka fituar vetëm 36%. Balotazhi është i mundur edhe në Pejë. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë numrin më të madh të votave në Prizren si dhe në Mitrovicë.

Sa i përket komunave me shumicë serbe në jug të Kosovës, vërehet një ngritje e menjëhershme e listës serbe të cilën e ka përkrahur qeveria e serbisë. Për komunat me shumicë serbe në veri të kosovës përveç që nuk ka asnjë rezultat, mungon edhe përqindja e pjesëmarrjes në votime. KQZ-ja zyrtarisht ka thënë se nuk ka arritur ta sigurojë përqindjen e pjesëmarrjes pasi pas orës 16 për qind për shkak të situatës së sigurisë është ndërprerë komunikimi me Komisionet Komunale Zgjedhore në veri.

KOMENTE