Certifikatat e pronësisë që ndodhen në arkivat e Italisë së Jugut, Romës, Stambollit dhe Vjenës do të sillen në Arkivin Qendror të Shtetit dhe do të vihen në dispozicion të pronarëve. Arkivi i Shtetit panon të sjellë në Shqipëri dokumentacionin dhe do ta bëjë atë të gjendshëm për të gjithë qytetarët. Drejtori i Arkivës së Shtetit Gjet Ndoj në një prononcim për gazetën "Shekulli" ka pohuar se sjellja e tapive autoktone në vendin tonë do të zgjidhë mijëra çështje të mbivendosjes së pronave në të gjithë vendin. “Arkivi i shtetit do të bëjë gjithçka që ka mundësi për bashkëpunimin në funksion të qeverisjes së mirë të vendit.
Natyrisht arkivi dhe unë si drejtor do të bëj përpjekjet maksimale për të shërbyer edhe në këtë drejtim për ta ndihmuar qeverinë në zbardhjen e të vërtetave që mund të jenë arkivuar në Italinë e Jugut, Romë, Vjenë, Stamboll , Angli apo Paris. Kudo që të jenë do të mundohem të bëj maksimumin për t’u vënë në lëvizje dhe për të qenë një instrument shumë efikas për zbardhjen e të vërtetave dhe me atë të këtyre të vërtetave,për t’u orientuar drejt dhe për të pasur qëndrime realiste dhe me pronarët dhe me zgjidhjen sa më të drejtë të mundshme të çështjes së pronave.
Është një nga çështjet më nevralgjike dhe më kardinale të qeverisje për këto 23 vjet”-deklaron Ndoj. Sipas tij kjo është një çështje politike, por edhe atdhetare. “Shqiptarët nuk mund të ecin para pa ndërtuar sistemin, pa bazën e të vërtetës, pa mbajtur një qëndrim të drejtë edhe ndaj pronave dhe pronarëve. Problemi ka të bëj me marrëdhënien me publikun që fillojnë nga hulumtuesit dhe studiuesit deri te njerëzit që interesohen për prona. Has me shqetësim në qaset akademike si në Institutin e Historisë apo në Qendrën e Albanologjisë që ka pasur një farë diskriminimi.
Unë angazhohem që jo vetëm ky arkiv do të ketë akse më të madh dhe lehtësi më të madhe për të gjithë të interesuarit brenda ligjeve dhe standardeve që ka shfrytëzimi i arkivit, pa dallim duke besuar fort që kështu të vërtetat e mëdha ndihmojnë nga studiuesit për t’u ndriçuar për të dalë ashtu siç janëdeklaroi drejtori i Arkivit të Shtetit.
Dosjet në AKKP
Janë rreth 7 mijë dosje të kthimit a kompensimit të pronave, që presin prej vitesh zgjidhje në arkivat e AKKP- së. Sipas ligjit, ato duhej të kishin marrë përgjigje brenda një afati kohor prej tre muajsh nga data e aplikimit. Problem kryesor në për zgjidhen e kësaj çështje është mbivendosja, pasi më shumë se dy pronar pretendojnë për të njëjtën sipërfaqe toke . Ligji e detyron Agjencinë që çdo kërkesë për kthim apo kompensim pronash, t'i japë përgjigje brenda tre muajsh nga data e aplikimit, ndërkohë që këtë institucion janë arkivuar dosje që prej vitit 1995 dhe ende nuk kanë marrë një përgjigje.