Në konferencën kombëtare të transportit qytetas, drejtoresha e Transportit në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha i ka kërkuar qeverisë të subvencionojë operatorët e transportit publik ose të parashikojë lehtësira të tjera për operatorët, duke përjashtuar qytetarët nga rritja e çmimit të biletës.
“Bashkia e Tiranës është e njohur me problematikat që hasin sot operatorët, lidhur me gjendjen e vështirë ekonomike që vjen si rezultat i rritjes së çmimit të karburantit. Për vetë rëndësinë që ka transporti publik, si dhe duke u bazuar edhe në eksperiencat europiane, ka ardhur momenti që shteti të mbartë pjesën e tij të përgjegjësisë, duke subvencionuar këtë shërbim dhe duke aplikuar politika lehtësuese për operatorët e transportit publik, pa shkuar tek prekja e çmimit aktual të biletës”.
Zonja Hoxha ka parashtruar edhe masat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës, për t’u ofruar qytetarëve një shërbim të shtuar dhe të përmirësuar të transportit publik.
“Që nga viti 2011, janë shtuar 2 linja të reja, “Mihal Grameno” dhe Qyteti “Studenti” dhe janë në process licencimi linja e “Kristalit” dhe Kopshtit Zoologjik. Ndërkohë, në përputhje me zgjerimin e shtrirjes së qytetit në përputhje me planin rregullues do të studiohet edhe zgjerimi i linjave qytetëse, duke shtuar linja të reja apo duke zgjatur itenerarët e linjave ekzistuese. Linja Kombinat – Kinostudio kishte mbetur për shumë kohë si një pasqyrë e të shkuarës dhe për këtë arsye, duke filluar që nga maj 2013, në këtë linjë është shtuar një operator privat që operon me mjete të reja. Gjithashtu edhe mjetet e linjës Sharrë – ish uzina “Dinamo” kanë pasur një përmirësim të dukshëm me fillimin e punës nga operatori i ri.
Ngritja dhe vënia në funksionim e Qendrës së Kontrollit të Trafikut na krijon mundësinë për monitorimin me GPS të vendndodhjes së mjeteve në çdo moment, kjo si fazë e parë, duke synuar drejt aplikimit të dhënies së përparësisë në semaforë për mjetet e transportit publik. Informimi në kohë reale i mbërritjes së autobuzëve është një element tjetër që rrit besueshmërinë e përdoruesve ndaj transportit publik” - u shpreh drejtoresha e Transportit Nereida Hoxha.