Dashuronte një djalë dhe babai nuk e pranonte lidhjen mes të rinjve, 25-vjeçarja tenton të hidhet nga kati i 7 i një pallati shumëkatësh.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur “Don Bosko”, në Tiranë raporton top channel. Vajza është shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të uniformave blu. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se vajza me inicialet Fatmira N., prej kohësh ishte njohur me një djalë dhe kërkonte që me të dashurin të ndërtonte familjen.
Ajo e ka cilësuar marrëdhënien mjaft normale, por në momentin që prindërit e kanë marrë vesh, në familje kanë filluar problemet. Babai i vajzës i ka kërkuar që Fatmira të ndahej nga i dashuri i saj, por ajo nuk pranonte. Mosrespektimi i dëshirës së babait, ka sjellë probleme mes tyre. Ata grindeshin sa herë që hapej biseda për të dashurin e 25-vjeçares.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe një ditë më parë. Vajza dhe babai janë zënë për orë të tëra. Situata është tensionuar shumë mes të dyve. E reja ka kaluar në gjendje depresive dhe si rrugëzgjidhje të vetme ka gjetur vetëvrasjen. Ajo ka hyrë në njërën prej dhomave të apartamentit dhe e ka mbyllur derën me çelës.
Më pas ka dalë në ballkon dhe para se të kryente aktin final, i ka telefonuar të atit, për ta njoftuar për vendimin. Në këtë moment babai i vajzës i është lutur që të mos e bëjë një gjë të tillë, por ka qenë e kotë. Ajo nuk bindej.
Babai tepër i tmerruar ka marrë në telefon policinë, për të kërkuar ndihmë. Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, mes tyre edhe shefi i Komisariatit Nr 3. Ngjarja ka shkaktuar panik tek banorët e zonës. Ata e kanë ndjekur të gjithë skenën e negociatave mes vajzës, policisë dhe të atit.
Eksperienca në repartin special RENEA, duket se i ka shërbyer shefit të Komisariatit numër 3, të zbresë me litar nga tarraca dhe të hyjë nga ballkoni brenda banesës që ishte mbyllur prej 25-vjeçares. Ai ka mundur që të shpëtojë vajzën dhe më pas e ka shoqëruar në rajon.
Nën kujdesin e një psikologeje, 25-vjeçarja ka dhënë edhe arsyet e tentativës së vetëvrasjes. Ajo ka thënë se situata në familje ishte bërë e padurueshme, pasi babai vazhdimisht kërkonte që ajo të ndahej nga i dashuri, të cilin e dashuronte marrëzisht. Ndërkaq edhe prindërit e vajzës janë marrë në pyetje policia. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila për pak sa nuk përfundoi në tragjedi.