SKENDER MINXHOZI - Sikur të zhvillohej sot një konkurs për klasifikimin e lajmit më absurd që është transmetuar së fundi në mediat elektronike, me shumë gjasë kronika e emisionit “Fiks Fare” për paratë nën dorë gjatë fushatës elektorale në Korçë, do të merret një vend nderi.
Dhe absurdi, edhe këtë radhë, nuk ka të bëjë me lajmësin, por me lajmin. Të blesh zgjedhjet e Bashkisë së Korçës (nëse kjo ka ndodhur vërtet), në momentin kur askush, edhe vetë PD-ja, nuk shpresonte për fitore, do të thotë si të blesh një ndeshje futbolli miqësore. Ose, siç e tha dikush me të drejtë, të shqyesh me sup një derë të hapur.
Prej pak orësh nga transmetimi i skenave ku studentë të ardhur në Korçë marrin dy mijë lekë të reja secili, në një zyrë elektorale të PS-së, lajmi ka bërë xhiron e shtypit dhe ka ndezur, siç pritej, një stuhi të vërtetë politike. Opozita nxitoi ta shfrytëzojë parmbrëmë lajmin në fjalë, për të kërkuar përsëritjen e votimeve në Korçë, kurse mazhoranca mbajti një profil të ulët, duke deklaruar disa orë më pas se pagesat ishin bërë për studentë-anëtarë të FRESSH-it, që kishin udhëtuar në Korçë për të votuar. Pra, jo një blerje vote, por një pagesë biletash autobusi për militantët e partisë.
Gjithsesi episodi i Korçës ngjan i pakëndshëm. Themi “ngjan”, pasi gjithë sa ka ndodhur është vënë me të drejtë nën hetimin e organeve të drejtësisë. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për “dhënie shpërblimesh dhe premtime”. Në fund të këtij procesi, që për hir të paqes politike në vend, duhet të jetë i shpejtë dhe transparent, do të dimë zyrtarisht nëse ajo që ka ndodhur në pamjet filmike të “Fiksit” ka qenë një veprim burokratik e financiar normal brenda strukturave të PS-së apo nëse kemi pasur të bëjmë me një rast të provuar blerjeje votash.
E ky varianti i dytë do të hapte një tjetër kapitull të errët për zgjedhjet në Shqipëri. Në më shumë se dy dekada zgjedhjeje pluraliste në Shqipëri, balanca e manipulimit të votave ka anuar dukshëm nga PD-ja. Precedenti tashmë klasik i vitit 1996 ka mbetur i papërsëritshëm në vrazhdësinë dhe flagrancën me të cilën u devijuan votat në atë proces aq të kontestueshëm, i cili pak muaj më pas do ta fuste, së bashku me krizën e piramidave, në një qerthull të rëndë krize të gjithë vendin. Kjo vazhdë devijimi e votës ka mbijetuar deri pak kohë më parë, kur PD-ja organizonte një urë të vërtetë ajrore për të sjellë studentë nga Italia, për të votuar për Lulzim Bashën në vitin 2011. Apo kur, në mes të fushatës së 23 qershorit, zyrtarë të lartë të PD-së shpërndanin thasë me miell, vaj e sheqer, në këmbim të votave, në mes të Tiranës, siç ishte rasti i rrugës “Myslym Shyri”.
I parë në këtë kontekst historik, qëndrimi ndaj procesit zgjedhor është një gur prove vendimtar për të gjitha forcat politike që kanë pretenduar pushtetin. Partia Socialiste nuk ka aspak nevojë që ta fusë veten në listën e zezë të prekjes së proceseve elektorale. Aq më tepër, në një garë lokale dhe të kufizuar si Korça, me pak ose aspak peshë në skakierën kombëtare.
Kronika filmike e “Fiks Fare” në Korçë, përbën premisën e një incidenti në dukje kalimtar dhe të parëndësishëm, por që mund të mos jetë aspak i tillë. Nëse ngjarja konfirmohet edhe nga organet përkatëse, ashtu siç e fiksuan kamerat e “Fiksit”, do të duhet një reflektim serioz dhe urgjent i mazhorancës ndaj episodit në fjalë. Të fshihesh pas deklaratave të zëdhënësve periferikë nuk do të bënte më dobi. Sepse ka një problem të madh parimor, i cili nuk mund të anashkalohet, qoftë edhe përballë parave nën dorë të shpenzuara në një zyrë elektorale qindra kilometra larg Tiranës: fitimtarët e 23 qershorit erdhën në pushtet duke premtuar një sjellje krejt të re, të ndryshme dhe pse jo puritane, ndaj atyre që i kanë konsideruar rregullisht si paudhësitë e qeverisjes së mëparshme. Një ndër defektet e anatemuara më së shumti nga Edi Rama, ka qenë mënyra sesi PD-ja zhvillonte fushatat zgjedhore. Në fakt, zgjedhjet janë parë nga e majta si një element që ka qenë rregullisht i kërcënuar nga tendenca për manipulim nga ana e së djathtës. Frika proverbiale e së majtës për prekjen e votave nga Berisha, ka qenë një ndër fobitë bazë të pluralizmit shqiptar që nga fillimi i viteve ’90. Edi Rama ka premtuar dhjetëra herë se vota nuk do të preket më në Shqipëri. Rasti po e sjell që ai ta dëshmojë këtë eventualisht, shumë kohë më parë se takimi elektoral i radhës, ai i vitit 2015. Natyrisht, gjithmonë nëse do të vërtetohet se në Korçë është kryer një blerje vote, e jo një pagesë banale e shpenzimeve të transportit për militantët e partisë.
Opozita e djathtë nuk vonoi që, së bashku me kontestimin e fortë të pamjeve të “Fiksit”, të hedhë edhe një herë, siç pritej, dyshime serioze mbi zgjedhjet e 23 qershorit. Megjithëse nuk ka mendje të shëndoshë të besojë se një milion votat e famshme kundër Berishës qenë fryt i shitblerjes, e jo një dënim politik kapital për një politikë të dështuar tetëvjeçare. Edhe për këtë arsye, pra për heqjen e çdo alibie jo vetëm mbi Korçën, por edhe mbi votimet e qershorit, apo proceset e ardhshme elektorale, qeveria dhe kreu i saj duhet të reagojnë fort dhe prerë ndaj çdo prove të pakundërshtueshme se zgjedhjet në qytetin juglindor u blenë, qoftë edhe pjesërisht. Janë këto gjeste që e forcojnë demokracinë dhe jo fortifikimi pas justifikimeve që nuk bindin. Më mirë një betejë e dytë totalisht e ndershme sesa një fitore e njollosur qoftë edhe pjesërisht/Gazeta "Shqip"/