English

Rihapen kazinotë e Tiranës, duke sfiduar urdhrin

Të gjitha lojërat e fatit dhe kazinotë që u bllokuan para pak ditësh gjatë operacionit "Fund Marrëzisë" janë rihapur në Tiranë. Mesa duket operacioni policor u krye për të ndryshuar tregun e lojërave të fatit dhe jo për t'i mbyllur ato siç e trumbetoi me bujë Edi Rama. Ky operacion u përdor më së shumti për të pasuruar një kastë të qeveritarëve të sotëm, si dhe për t'ua dhënë këtë biznes fitimprurës njerëzve të afërt të Ramës dhe Tahirit. Pak ditë pas bllokimit të kazinove dhe lojërave të fatit në Tiranë, deputeti i PS, Tom Doshi futi 5500 kompjetra kazinosh, të cilët kanë filluar aktivitetin në Tiranë dhe disa qytete të vendit. Kështu pra, "Fund Marrëzisë" u kthye në fillim i marrëzisë, pasi kazinotë jo vetëm që nuk u mbyllën, por u shtuan edhe më shumë. E gjithë Tirana gumëzhin sot nga rihapja e kazinove me pronarë të rinj.
Aksioni i Sajmir Tahirit "Fund Marrëzisë" i ka hapur rrugën biznesit të deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshi, që të hedhë në tregun e lojërave të fatit 5500 kompjutera që kanë nisur të ushtrojnë këtë aktivitet në Shqipëri. Mësohet, se aksioni i Tahirit ka patur qëllim mbylljen e aktiviteteve të kompanive të veçanta, të cilat ushtronin deri më sot aktivitetin e tyre dhe hapjes së dritës jeshile për marrjen nën kontroll të këtij biznesi fitimprurës nga eksponentë socialistë. Gjithashtu mësohet, se në monopolin e lojërave të fatit do të favorizohet ish-miku i Ramës i njohur me emrin Beso i Tajvanit dhe deputeti tjetër socialist Fidel Ylli. Miku i Ramës njihet pronar i rrjetit të madh të kazinove "Regency Casino".
Po ashtu, operacioni i policisë "Fund Marrëzisë" është dekonspiruar nga vetë ministri i Rendit, Saimir Tahiri. Ky skandal u zbulua pas vrasjes së biznesmenit të lojërave të fatit, Elvis Doçi.
Ky i fundit ka qenë bodigard i Tahirit, gjatë fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit, si dhe e ka sponsorizuar atë për të ardhur në pushtet. Mësohet se, ministri Tahiri e ka njoftuar biznesmenin Doçi për operacionin e gjerë policor për bllokimin e kazinove dhe Doçi një muaj para se të kryhej operacioni, i ka shituar të gjitha makinetat e lojërave të fatit. Sipas burimeve, Tahiri i kishte premtuar Doçit se do t'i jepte biznesin e karrotrecëve të policisë, prej nga vijnë fitime marramendëse. Kështu, biznesmeni Doçi, pasi shiti kazinotë, u fut në garën për tenderin e karrotrecëve të Tiranës. Të mërkurën e kaluar, Elvis Doçi mbeti i vrarë në një atentat në Tiranë.

Qindra makina të lojërave të fatit dhe kompjutera u grumbulluan më herët në magazinat e shtetit në Lundër. Makinat e lojërave të fatit, u bllokuan nga policia gjatë operacionit masiv në të gjithë Shqipërinë, të koduar “Fundi i marrëzisë”. Punonjësit nuk na dhanë përgjigje nëse makineritë u ishin rikthyer sërish nga magazina e shtetit apo i kishin siguruar në formë tjetër. Ish-drejtori i Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Viron Bezhani shprehet se rihapja e kazinove, në këtë moment bie në kundërshtim me normat ligjore. Në zonën e Ish-Bllokut, menaxheri i një kazinoje të mbyllur, tregon se ka një ndëshkim selektiv në këtë aspekt. Ai citon se pronarët e rinj të kazinove kanë lidhje të forta me politikën dhe nuk do të penalizohen. Ai shprehet se kërkesa për të vijuar këtë biznes do të sillte një penalizim tjetër.

KOMENTE