Ngrihet Task-Forca për kontrollin e tregut të gjësë së gjallë, nën drejtimin e prefektit të qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, që do të ketë si detyrë kryesore kontrollin dhe monitorimin e therjeve, transportimin dhe tregtimin e mishit.
Në mbledhjen e parë u hartua plani i masave për përmbushjen e dispozitave të “Aktit Normativ” të qeverisë si dhe u caktuan grupet e përbashkëta të punës, të cilat do të fillojnë kontrollin në zonat kryesore të kryeqytetit dhe më gjerë.
Në fjalën e tij, Vorpsi theksoi se problematika e cilësisë ushqimore është tepër e rëndësishme dhe kërkon një kujdes të madh.
“Në bashkitë Tiranë dhe Kamëz si dhe në komunën Paskuqan, situata paraqitet kaotike. Kjo për shkak se bashkia Tiranë nuk ka një thertore si dhe në Kamëz mungon një strukturë veterinare. Ne vërejmë punën e dobët të institucioneve vendore përkatëse, të cilat janë përgjegjëse për këtë situatë”, u shpreh prefekti.