Ish-ministrin e kanë akuzuar për blerje të aparaturave për të realizuar përgjimin e paligjshëm të deputetëve e liderëve socialistë, por edhe për kalimin e miliona litrave karburant në favor të fushatës elektorale të Partisë Demokratike, për abuzim me qindra prona të Ushtrisë, për dhënie me firmën e tij të qindra milionë lekë një agjencie publicitare për llogari të një medie pranë ish-kryeministrit Berisha etj. Por, personalisht ministri Imami është akuzuar nga ish-opozita e majtë socialiste, tashmë në mazhorancë qeverisëse, edhe për përfshirjen në trafikun e armatimeve dhe teknikës luftarake, duke parathënë se për këtë akuzë dispononte dokumente e dëshmi. Sikurse deklaronte se kishte të tilla prova mbështetëse edhe për tenderimin antiligjor të procesit të kthimit në skrap të tonelatave municioni detar të nxjerrë nga bazat e Pashalimanit, Bishtit të Pallës, Shëngjinit etj. Apo për tenderin e veshmbathjeve të realizuar në kundërshtim me ligjin e Prokurimeve Publike. Një tjetër akuzë e artikuluar nga mazhoranca e sotme socialiste, kur ishte në opozitë, lidhej me të etiketuarin si “skandali i përdorimit jashtë kuadrit kushtetues të ushtarakëve të Batalionit Special Komando dhe Federatës së Peshëngritjes.
Por, një tjetër akuzë ka qenë edhe ajo adresuar gjeneralit të dorëhequr Gjunkshi e që e përfshinte këtë të fundit në aferën e marrjes së ryshfetit nga misionarët shqiptarë në Afganistan. Ka edhe të tjera akuza të ngritura ndaj Arben Imamit, ministrit të Mbrojtjes së kabinetit Berisha, gjatë kohës kur qeverisësit e sotëm të së majtës ishin në opozitë. Akuza jo vetëm të mbetura pa përgjigje, por edhe të injoruara nga organet kompetente të asaj kohe. Akuza, për të cilat socialistët e pa ardhur ende në qeverisje u angazhuan se do t’i verifikojnë e hetojnë sapo rotacioni ndryshues i pushtetit të ndodhte. Kanë kaluar më shumë se dy muaj që ky rotacion pushteti ka ndodhur dhe grupet e punës, të ngritura brenda Ministrisë së Mbrojtjes, vazhdojnë verifikimin e situatës. Njohjen në themel të gjendjes që do të nxjerrë në pah dhe faktet “pro” ose “kundër” akuzave të djeshme.
Një prej pjesëtarëve të grupit të hetimit në këtë ministri thotë, por pa dashur të identifikohet me emër për median, se brenda muajit nëntor dosja “Imami” do të niset për tek zyra e Kryeprokurorit të Përgjithshëm të Republikës, zotit Adriatik Llalla. Ndërsa në kampin e selisë blu mbrëmë të pyetur për rastin “Imami” u shprehen se kemi “halle të tjera për momentin”, duke neglizhuar nëse do të jenë mburojë e fortë në parlament pro-Imamit apo do të bëjnë pazar të fshehtë PS-PD në mënyrë që kryeministri të mos prekë koka të tjera ish-ministrash. Kjo është dilema për ish-ministrin e Mbrojtjes; do të mbrohet vetë apo edhe do ta mbrojë opozita? Disa deputetë të PD-së thonë nën zë se “ata që ia bënë më hile dikur Sali Berishës, tashmë të mbrohen vetë!”.