English

Qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e rregullt pas zgjedhjeve

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar dokumente të politikave, raporte dhe vendime nga fushat e përgjegjësive të saja ligjore dhe kushtetuese.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se Kosova këtë të diele e kaloi testin evropian për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike, të konkurrencës dhe zgjedhje të vlerësuara edhe prej Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prej verifikuesve ndërkombëtarë.

“Dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet që kanë qenë të involvuara në këtë proces, të gjithë spektrin politik, organizatat joqeveritare, mediet, vëzhguesit vendor, ndërkombëtar.

Rëndësia e dytë është se zgjedhjet janë organizuar në gjithë territorin e Kosovës, për herë të parë pas 14 vitesh. Pjesëmarrja e serbëve në veri, definitivisht e ka legjitimuar marrëveshjen e Brukselit për një Kosovë unike, për një Kosovë të re, për një Kosovë si atdhe i gjithë qytetarëve të saj, me përfaqësim në institucionet qendrore dhe lokale.

Me përjashtim të incidentit të izoluar, i tërë procesi ka qenë legal, i pranueshëm, i vlefshëm dhe me standarde ndërkombëtare.

Jemi të vetëdijshëm që ka pasur shantazhe dhe kërcënime prej grupeve të ndryshme ekstremistësh në veri, por ata që kanë prishur kutitë e votimit, do të ballafaqohen me drejtësinë vendore dhe atë ndërkombëtare.

Definitivisht është dëshmuar se vetëm një vit pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, mund të organizojmë zgjedhje fer, të lira dhe demokratike.

Falënderoj KQZ-në për punën e tyre të shkëlqyeshme që kanë bërë, OSBE-në për ndihmesën dhe, gjithashtu Policinë e Kosovës, EULEX-in, KFOR-in, gjithë korin diplomatik në Republikën e Kosovës” është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.

Në vazhdim të mbledhjes, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka njohur kabinetin qeveritar për vizitën në Preshevë dhe takimet e zhvilluara. Ajo ka vlerësuar se shqiptarët në Luginën e Preshevës janë një komuniteti i diskriminuar dhe ka apeluar te ministrat e Qeverisë së Kosovës të vizitojnë rajonin dhe të shqyrtojnë mundësitë e mbështetjes për shqiptarët e këtij rajoni.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Udhëzimin Administrativ për përbërjen formale, kompetencat, përgjegjësit dhe mënyrën e funksionimit të autoritetit kombëtarë kundër trafikimit me njerëz. Ky Udhëzim Administrativ përcakton përbërjen, kompetencat, përgjegjësitë dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtarë kundër Trafikimit me Njerëz.

Në mbledhje është miratuar Raporti për zbatimin e Planit të Veprimit të Reformës së Administratës Publike. Realizueshmëria në përqindje e reformës nga data e miratimit 23 maj 2012 deri në fund të gushtit 2013, sipas Raportit del të jetë mbi 60%.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për fillimin e procesit të dekomisionimit dhe çmontimit të azotikut, gazifikimit, ngrohtores dhe objekteve tjera përcjellëse të cilat pengojnë operimin normal të njësive aktive. Mbyllja e njësive aktive të Termocentraleve Kosova A do të bëhet në përputhje me Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka aprovuar Planin Kombëtarë të Veprimit për Burimet e Ripërtritëshme të Energjisë për periudhën 2011 – 2020. Ky plan trajton planifikimin dhe zhvillimin e sektorit të burimeve të ripërtritëshme të energjisë në këtë periudhë, caqet obligative të energjisë nga burimet e ripërtritëshme të energjisë që janë 25% e brutokonsumit final të energjisë si dhe definimin e masave për mbështetjen e realizimit të këtyre caqeve.

Është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësime për interesin publik të pronave të paluajtshme, të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të ngastrave kadastrale në të cilat ndodhen objektet e ish-Ndërmarrjes Shoqërore “Rilindja”, në zonën kadastrale të Komunës së Prishtinës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar edhe vendimin e shqyrtimit të mëtejmë të shpronësimit të pronave publike dhe zotëruesve të interesit publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i objektit për nevojat e Agjencisë Kosovare të Forenzikës, në Zonën Kadastrale të Komunës së Prishtinës.

Me vendimin e aprovuar sot nga Qeveria e Kosovës, z.Mentor Mehmeti është emëruar këshilltarë i Drejtorit Ekzekutiv të Konstituencës së Fondit Monetarë Ndërkombëtarë që mbulon Republikën e Kosovës. Vendimi është marrë në pajtim me propozimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në përputhje me Ligjin për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetarë Ndërkombëtar dhe në organizatat e grupit të Bankës Botërore.

Miratimin e Qeverisë së Kosovës e ka marr edhe vendimi për reduktime dhe ndarjen e mjeteve financiare në pajtim me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013.

KOMENTE