Pesë të rinj nga nje trung familjar kanë humbur jetën në një minierë në fshatin Beragozhd, komuna Dardhas në qytetin e Pogradecit.
Viktimat janë tre vëllezërit Edison, Ledjon dhe Nertil Hamolli, përkatësisht 23, 24 dhe 25 vjeç. Gjithashtu, kanë humbur jetën edhe dy vëllezërit Sazan dhe Arjan Hamolli kushërinj me tre të parët.
Të rinjtë kishin hyrë në minierë që në orën 7:00 të mëngjesit të së mërkurës për të mbledhur skrap por nuk kanë mundur të dalin më pasi janë asfiksuar nga gazi.
Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave është informuar rreth orës 23:00 të së mërkurës se disa persona kanë mbetur të bllokuar në ish minierën e qymyrit në Dardhas të Pogradecit. Menjëherë është ngritur grupi i posatshëm me specialistë të cilët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Është konstatuar se në minierën e cila rezulton të jetë pa aktivitet dhe e mbyllur prej 20 vitesh, disa persona kanë hyrë në mënyrë ilegale për të marrë materiale ndërsa kanë marrë me vete edhe një gjenerator me benzinë. Gjatë punës së gjeneratorit është prodhuar sasi e konsiderueshme oksid karboni e cila është përhapur brenda galerive. Zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Ilir Bejtja, Prefekti i Qarkut, drejtuesit e RISHM-it dhe forcat e policisë ndodhen në vendin e ngjarjes ndërsa po punohet edhe për të sqaruar rrethanat e plota” thuhet në deklaratën e ministrisë.
Deri tani është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të Edisonit dhe Nertil Hamollit, 25 vjec.
Nxjerrja e trupave është bërë e vështirë jo për shkak të thellësisë së minierës, por për shkak të pranisë së madhe të gazit në gjatësinë e saj prej më shumës e 300 metrash.