English

Biri im, të lutem mos u kthe në këtë vend

E dhimbshme ti thuash këto fjalë dhe aq më tepër kur vijnë nga shpirti, kundrejt birit tënd.
Por ja që nëna i thotë vetëm e vetëm për të mbrojtur birin e saj, shpirtin e saj. Në shenjë proteste që vendi jonë të mos bëhet një burim HELMI për breza të tërë, lexoni shkrimin e mëposhtëm dhe ndërgjegjësohuni, o njerëz, po vriten fëmijët tuaj jo ju vetë, po vritet embrioni njerëzor i këtij kombi.
Nëse duhet ta mbroni reagoni...


Natasha Shuteriqi Poroçani - LUTJE DREJTUAR BIRIT TIM
Do të doja shumë që sonte, si çdo mbrëmje të të nisja mesazhin rutinë: Si kalove shpirt? Ndonjë të re nga shkolla?
Por sot ndryshe nga të gjitha herët po të nis një lutje: Biri im, të lutem, mos u kthe më këtu!
E në fakt, nuk di nëse të lutem ty apo lus Zotin të më ndihë mua që ti të mos kthehesh më në vendin tënd.
Sa e dhimbshme, aq edhe e turpshme është për mua kjo lutje. Që ti të mos vish, do të thotë që unë dhe babi të mbetemi vetmitarë në stinën tonë të vështirë. Do të thotë që unë do të pendohem për këto fjalë, por si gjithmonë do të jetë vonë.
Mua më dhemb lutja ime.
Por si nënë nuk dua të provoj dhimbje më të mëdha se kjo.
E mban mend parkun e varfër të qytetit tonë? Ashtu si një shpend që vende vende i kanë rënë pendët, ai ka qenë këndi yt i parë i lojrave. Në vjeshtë gjethet e tij kuqëlojnë dhe në pranverë, si një grua shtatzënë ai buit nga fryma e jeshillëkut. E nëse ti kthehesh, fëmijëria jote do të rënkojë mes helmit që Parku do të pëcjellë.
Biri im, nëse unë kam peshën e fajit që të linda në këtë vend, e sidomos në këtë qytet, nuk dua që nesër ta provosh edhe ti këtë ndjesi. Sepse nesër, do të jetë ndryshe. Ti as e ke idenë se çfarë ka në qytetin tënd. Sepse nga dashuria, të mbajta larg pluhurit. Ti nuk e di që vetëm 30 km larg shtëpisë tënde është një uzinë e frikshme që po gatit të na shkatërrojë parkun…dhe jo vetëm parkun…

Biri im, nëse Bota nuk do të përfillë faktin që në udhët e këtij qyteti jeton ti dhe motra jote, unë jam e çmendur dhe dua t’ia shkul flokët Botës. Pa t’I them: le të shuhen tërë grataçielat dhe superurat. Le të marrin flakë puset e naftës kudo qofshin ato, unë dua që fëmijët e mi të jetojnë.
Dhe nëse askush nuk ju del krahë, sot kur Bota e supërfuqive po na dënon me moskonsiderim, atëherë ja ku jam unë për të të mbrojtur ty biri im. Për këtë të lutem: Mos u kthe!
Deri në moskthimin tënd, më duhet të planifikoj një tjetër ikje, atë të motrës tënde.

KOMENTE