English

Bushati: Nuka ka asnjë vendim apo dhe proces konsultimi për armët kimike të Sirisë

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, priti në një takim kortezie, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Cannon.

Ministri Bushati, informoi Ambasadorin për prioritetet e Qeverisë së re, duke veçuar rëndësinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si prioritet i agjendës së Qeverisë shqiptare. Z. Bushati, falenderoi Ambasadorin për mbështetjen që ka dhënë dhe po jep Mbretëria e Bashkuar në procesin e integrimit evropian.

Z. Cannon, uroi Ministrin Bushati për marrjen e detyrës së re dhe përgëzoi Shqipërinë për rekomandimin e Komisionit Evropian, për dhënien e statusit të vendit kandidat. Ambasadori Cannon, inkurajoi qeverinë shqiptare për përmbushjen e reformave të nevojshme për procesin e integrimit evropian.
*************************
Ndërkohë lidhur me armët kimike Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është shprehur se ka një kërkesë nga SHBA-ja për çështjen e armëve kimike në vendin tonë, por ende nuk është marrë një vendim. Kështu i është përgjigjur Bushati gjatë raportimit në Komisionin për Politikën e Jashtme, pyetjes të drejtuar nga ish-ministri i Mjedisit, deputeti Fatmir Mediu.

Sipas tij, Shqipëria është një nga vendet e kontaktuara nga SHBA-të për shkatërrimin e arsenalit sirian, por nuk është vendosur asgjë. Ai ka bërë të ditur se kryeministri Rama ka pasur një bisede telefonike me sekretarin amerikan John Kerry, ndërkohë që ka shtuar se nuk flitet ende për vendimmarrje. “Nuk dihet ende nëse do të shkojmë apo jo në këtë proces dhe nuk është folur për detaje teknike të tij”, tha Bushati.

“Shqipëria vend anëtar i NATO-s dhe si i tillë jemi një ndër vendet e kontaktuara nga SHBA-të se si mund të kontribuojmë për armët kimike të Sirisë. Kryeministri Rama dje ka patur një bisedë të gjatë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Kerry me të cilin diskutuan për çështjen e sigurisë, për elementët për kryerjen e procesit. Ata folën si mund të shërbejnë aleatët për të hyrë në këtë proces për t’u përmbushur objektivat. Kam qenë në kontakt me partnerë amerikanë për këtë proces. Kërkoj që para se të dalim me deklarata të tregojmë sens realizmi dhe përgjegjshmëri. Nuk kemi një vendimmarrje,nuk kemi nisur asnjë proces konsultimi për armët kimike të Sirisë. Nuk na është kërkuar konsultime apo mbështetje politike”, tha Bushati.

KOMENTE