Ornela Manjani - Arbitrariteti në administratën tatimore, kontrollet e tejzagjatura, stafi i pakulifikuar, rimbursimi selektiv i TVSH-së, janë problemet kryesore të hasura nga bizneset amerikane që operojnë në Shqipëri. Problematika është bërë evidente nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë përmes një materiali të specifikuar për çdo ngërç që bizneset hasin me administratën tatimore dhe është bërë publike në takimin me drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj. Komuniteti i biznesit pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë kërkoi nga drejtoria e Tatimeve që të rritet transparenca e kontrolleve.
Presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Crawford, theksoi se gjatë viteve të kaluara nga administrtata tatimore, rimbursimi i TVSH për bizneset është bërë në mënyrë jo të drejtë, por selektive. Mark Craëford ka denoncuar ryshfetet nën dorë që bizneset detyrohen t’i japin administratës tatimore për shërbime të ndryshme. Crawford ka deklaruar se kjo praktikë po largon investitorët. “Ju doni të hyni në Europë dhe është e rëndësishme që t’i zgjidhni çështjet e taksave sa më parë. Rimbursimi i TVSH-së nuk merret nga bizneset dhe ky cikël duhet të prishet sa më parë pasi kjo ndikon tek investitorët dhe ata ndjehen të pabarabartë.
Kjo do t’ju lërë pas si vend për thithjen e investimeve. Cikli i pagesave nën dorë nga bizneset duhet të përfundojë pasi detyrohen qëtë paguajnë 20-30 përqind të TVSH-së nën dorë që të rimbursohen”,- tha ai. Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkoi ndër të tjera edhe rishikimin e legjislacionit tatimor si dhe të kontrollohet ana profesionale e inspektorëve tatimorë të cilët abuzojnë me vënien e gjobave.
Drejtorja e Tatimeve
Drejtorja e Tatimeve dha garanci se do të ketë procedura të reja në kontrollin e ndërmarrjeve. “Kompania do të njoftohet dhe t’i dërgohen pikat ku do të kontrollojnë, që tatimet të mos rrinë një muaj”,- tha Shehaj. Ajo kërkoi nga biznesi që të mos bëhet pre e korrupsionit. “Ka shumë gjëra që nuk shkojnë. Nuk mbushet buxheti me gjoba. Përsa i përket avokatit të tatimpaguesve, kjo strukturë duhet dhe ne do ta fuqizojmë. Kjo është një strukturë në varësi të Ministrisë së Financave. Ky avokat ka bërë një raport ku duken pikat konkrete ku tatimet duhet të ndërhyjnë"- theksoi Shehaj.
Problemet me tatimet
Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Ligjeve pranë kësaj Dhome, Ardiana Shehi, prezantoi një paketë përmbledhëse të problemeve të çështjeve tatimore, si dhe disa sugjerime të tyre për ndryshimet në legjislacionin tatimor. Disa nga problemet më të rëndësishme që has biznesi, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, janë çështjet që lidhen me zbatimin e legjislacionit tatimor, komunikimi ndërinstitucional dhe çështje të lidhura me formimin profesional dhe etikën e punonjësve të tatimeve. Të specifikuara sipas zërave, problem kryesor mbetet mosrimbursimi i TVSH-së. Sipas Shehit, procesi i rimbursimit është selektiv, ka abuzime me kontrollet tatimore dhe afatet e kryerjes së kontrolleve të cilat konfirmojnë TVSH-në për t’u rimbursuar. Tjetër problem është edhe mosllogaritja nga sistemi elektronik dhe nga organet përkatëse tatimore i kamatëvonesave përkatëse për vonesa në rimbursimin e TVSH-së raporton Shekulli. Një tjetër problem që ngritën bizneset amerikane në takim me përfaqësuesit e tatimeve ishte edhe ushtrimi pa arsye i rikontrolleve tatimore të përsëritura për të njëjtin detyrim tatimor dhe të njëjtën periudhë tatimore, dhe në shkelje të plotë të ligjeve në fuqi. Tejzgjatja e paarsyeshme e kontrolleve tatimore në kundërshtim me programet përkatëse të kontrollit tatimor dhe afatet dhe procedurat përkatëse ligjore, përbën një tjetër problem shqetësues.