English

Përplasje në selinë e PSD-së, Gjinushi mbetet jashtë

Selia e Partisë Socialdemokrate sërish e rrethuar nga policë madje dhe të zyrës së Përmbarimit.

Ata kanë shkuar sërish sot në zyrat e Partisë Socialdemokrate e cila ndodhet prapa Ministrisë së Drejtësisë në rrugën''Fortuzi''. Përmbaruesit kanë arritur të futen me forcë, në godinën e PSD-së duke marrë nën kontroll godinën.

Kjo mosmarrëveshje mes përmbarimit dhe policisë private, po ndodh për të dytën herë radhazi dhe përleshjet janë duke vijuar ende. Ajo që bëhet e ditur është se ende policia e shtetit nuk është prezente në këtë skenë konflikti.

Përmbaruesit janë konfrontuar fizikisht me policinë private, e cila ka tentuar deri në momentet e fundit të shmangë hyrjen e përmbaruesve në godinë. Sapo është futur në brendësi të godinës, njëri prej pronarëve është ndjerë keq dhe është transportuar me ambulancë në spital, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Banorit i bie te fiket

Avokati i pronarëve, Riza Hiçka deklaroi se përmbaruesit i kanë kërkuar ndihmë Policisë së Shtetit por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Nuk kishte pse të ndodhte gjithë kjo kundërshti. Nëse do të ishte e pranishme policia e shtetit nuk do të kishim gjithë këtë anomali. Njoftimet për policinë janë bërë por s’mund të them pse nuk erdhi. Nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje. Në vijim pronari do marrë në zotërim godinën”,- deklaroi zoti Hiçka.

Përmbaruesit privatë kanë mbërritur rreth orës 08:30 në hyrje të selisë së PSD-së, duke kërkuar lirimin e godinës. Përmbaruesit i bënë thirrje kreut të PSD-së Skënder Gjinushi të dorëzojë çelësat e godinës, në përputhje me vendimet e gjykatave, që siç thonë ata, i kanë dhënë të drejtë pronarit të truallit dhe godinës.

Situata u tensionua së tepërmi, kur përpara portës kryesore të godinës mbërriti makina e kreut të PSD-së, Gjinushi, i cili tentoi të hynte në zyrat e tij. Përmbaruesit nuk kanë lejuar që Gjinushi të futet në selinë e PSD-së, duke tentuar të hapin portën kryesore, për të liruar godinën. Zoti Gjinushi ka qëndruar për pak çaste në pritje dhe më pas ka dalë nga makina dhe i është drejtuar një lokali pranë godinës.

Gjinushi i cilësoi personat që pretendojnë pronësinë e godinës, si një grup hajdutësh që duan të rrëmbejnë pronën me dokumente false. Sipas kreut të PSD-së, në Gjykatë vijon ende gjyqi për pronësinë e godinës.

KOMENTE