Një anëtar i Çetës së Pirotit, shqiptarit të vdekur ia ka prerë kokën. Me ditë të tëra pastaj e ka zier në një tenxhere. Nga ajo i hoqi katër dhëmbë prej ari, pastaj ka shkuar në shtëpi dhe kafkën e ka ngjyrosur dhe nga ajo ka bërë një llambë tavoline, shkruan e-novine, duke u bazuar në rrëfimin e një dëshmitari serb, i cili tmerret që ka parë në Kosovë thotë se nuk i sheh në asnjë film.
Trupi i shqiptarit ishte në një kodër mbi Rahovec, ndërsa u vra në luftime.“Të njëjtën e ka bërë me një grua të vrarë. Edhe asaj ia ka prerë kokën në të njëjtën mënyrë dhe nga ajo ka bërë një llambë. Ka thënë se tash e ka një çift. Njerëzit normalë ishin të tronditur. E dinim këtë të gjithë, edhe komandanti i kompanisë dhe 80 për qind e policëve”.
Telegrafi ua sjellë rrëfimin e Slobodan Stojanovic, komandantit të pensionuar të stacionit policor në Cërna Trava , ish-anëtar i Çetës së IV-të, Detashmentit 37 të Njësisë së Policisë Speciale, dëshmitar i dikurshëm i mbrojtur shteti. Ai ka folur për e-novine për krimet ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, nga gushti deri në tetor 1998. Ato, thotë ai, i kanë kryer një “hordhi e kriminelëve” në uniforma policie. Policët që akuzon thotë se për gjithçka që kanë bërë në Kosovë janë dekoruar dhe graduar.
Stojanovic thotë se për krimet monstruoze kundër civilëve dhe robërve asnjë prej kryesve të policisë nuk ka reaguar, ndërsa pohon se Prokuroria serbe për Krime Lufte, konkretisht zëvendësprokurori Dragoljub Stankovic, ka përgatitur mbrojtjen e serbëve të akuzuar nga Tribunali i Hagës.
"Kam qenë vazhdimisht në Kosovë si polic, por viti 1998 ishte i tmerrshëm. Masakër e paparë nga ana e policisë dhe ushtrisë! Flas pa asnjë interes. Duhet të dihet se ata njerëz kanë ende uniforma, kanë armë”, thotë burimi i e-novine.
Ai thekson se është në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, në kuadër të së cilit ai dhe familja e tij ngacmohen, në mënyrë që Prokuroria të pamundësojë dëshminë e tij.
“Në Kosovë kam qenë në gusht, shtator dhe tetor 1998. Më kanë dërguar pa asnjë njoftim se çka po ndodhë, si t’i bëjmë punët ditore. Nuk e dinim as që ka luftime të ashpra me UÇK-në. Ishim krejtësisht të papërgatitur dhe direkt na dërguan në betejë .
Fillimisht ishim vendosur në fabrikën e kabllove në Suharekë dhe nga aty në luftë. Në tre muajt e ardhshëm unë pashë tmerre: vrasje të fëmijëve, civilëve, meshkuj dhe femra. Plaçkitje me shumicë, kamionë që natën bartin gjërat e vjedhura...
Pasi kam marrë pjesë në operacionet në Kosovë, i kam dërguar ministrit të Brendshëm Vlajko Stojiljkovicit, më 2000, një letër në shtatë faqe për atë se çfarë ndodhi poshtë. Përgjigje nuk kamë marrë, as nga ministri i cili më vonë vrau veten, e madje as nga njerëzit në kabinetin e tij. Në këtë informacion e kam përshkruar vrasjen e shqiptarëve, fëmijëve të tyre, djegien e shtëpive, vjedhjet.
Vidhej gjithçka që hasej. Të njëjtën ditë policia mallrat e plaçkitura ua shiste shqiptarëve në Prizren dhe Rahovec. Ata vodhën bagëti nga hambari, që ua shitnin mishtarëve shqiptarë. Përfitim i pastër, por kjo nuk ishte polici, po hordhi. Unë besoj se ashtu nuk veprojnë as kriminelët. Ata nuk kishin as një kod të sjelljes, për askënd.
Nuk mund të them se të gjithë bënë krime. Ishin nja 150, në çdo çetë nga 20 të gatshëm për krime dhe plaçkitje”.
Kur është fjala për llambën e bërë nga kafka, ai thotë se ky “psikopat i ka takuar Sektorit 87 të Njësive Speciale të Policisë”.
“Siç kam dëgjuar më vonë, ai ka përfunduar në Psikiatri në Toponicë”.
“Në shtator 1998 luftuam në fshatrat mbi Prizren, në të ashtuquajturën pastrim terreni. Unë nuk do të përmendi emrin e policit, që ende është gjallë e pensionist, i cili për pikë qejfi ka vrarë fëmijën në djep që nuk kishte as katër muaj. Sipas tij, ‘më mirë një shqiptar i vdekur se një shqiptar i gjallë’. Pastaj doja ta vrisja atë. Kuptova se nuk kam shkuar në Kosovë me një grup të policëve, por me një grup që nuk di ta definojë, se ata nuk ishin as kriminelë. Isha me sadistë, të sëmurë, kanibalë... vetëm mish njeriu që nuk kanë ngrënë.
Është një grup i banditëve të cilët ishin të gatshëm për të vjedhur dhe për të vrarë dhe askujt për këtë nuk i jepte llogari. Ende nuk e di se si është lejuar kjo nga kreu.
Ata nuk kanë pasur asnjë pasojë dhe të gjithë janë pasuruar. Kur ata shkuan në Kosovë ishin në pozitë të vështirë financiare dhe u kthyen me zinxhirë të trashë ari, gratë e tyre me unaza. Edhe sot janë të pasur”.
Sipas dëshmitarit, nga policët e Leskovcit është formuar Çeta e IV-të, ku komandant ishte Milivoje Stojiljkovic, që ishte shef i policisë në Leskovc. Kur janë vrarë tri policë të kësaj njësie, ai është zëvendësuar nga Nenad Stojkovic.
“Çeta ka filluar të veprojë pas vrasjes së Adem Jasharit. Ka marrë pjesë në këto luftime në Drenicë. Që atëherë silleshin si kriminelë e jo si policë. Sepse, për disa ditë vriten 70 shqiptarë, fëmijë, gra dhe burra. Edhe ne kishim viktima, një ushtar të vrarë dhe disa policë të plagosur lehtë. Mizoria filloi atëherë. Kjo nuk shihet as në filma.
Kemi punuar Gllogoc, para nesh kalonte Ushtria. Që në mëngjes gjuante në fshatrat kodrinore me raketa, ndërsa vrisnin gjithçka që lëvizte. Pastaj një nga kolegët e mi kërkoi paratë nga një civil i cili kishte më shumë se 70 vite jete. E pyeta nëse është normal, se çfarë po bënte. Ai e vrau atë sepse kishte vetëm 10 marka.
Ndërsa, ai polic ende punon. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj, sepse kemi ngrënë të njëjtën ushqim, ujë të njëjtë, e ata sikur ishin në një ekstazë. Po flas për 20 të tillë nga çeta jonë. Ndërsa, për gjithë këto dinte komandanti Nenad Stojkovic. Ai ishte personalisht i pranishëm kur një polic vrau në Bajgorë një fëmijë të retartuar me nënën e tij, në shtëpinë e të cilëve kemi kaluar natën. I pyetur përse, ai tha se nuk kemi nevojë dëshmitarët”.
Sipas tij, brenda natës zhdukeshin kamionët që kanë përdorë, sepse dërgonin mallra në Leskoc dhe në fshatrat e policëve të grupit.
“Traktorë, vetura, sharra motorike... Janë vjedhë 300 motokultivatorë të rinj, 20-30 tonë raki nga Rahoveci... Gjithçka që shihte syri, duart e kapnin. Kanë prerë gishta për të marrë unaza. I kam parë me sytë e mi. Që pesë vjet kam dalë në pension, e i shoh ata policë në qytet. Më vjen turp t’i shoh”.
Dëshmitari thotë se të gjithë e dinin se çfarë po ndodhë në Kosovë, sepse sipas hierarkisë çdo sektor e ka informuar sektorin më të lartë.
“Këtu arrijmë te Sreten Lukici, që komandante me operacionet dhe ai ato është dashur t’ia dërgojë dikujt që ishte i afërt me Slobodan Milosevicin. Edhe ai ka ditur”. /Telegrafi/