“Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që Forcat e Armatosura shqiptare të kryejnë me sukses të plotë procesin e reformimit dhe modernizimit të tyre”, - garantoi Kryeministri Rama, mes të tjerave, në ceremoninë e zhvilluar në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Shkollën e Bashkuar, ku u prezantua Shefi i Përgjithshëm i Shtabit, Gjeneral Jeronim Bazo.
Kryeministri nënvizoi se qëllimi i reformimit do të jetë ngritja e FA-ve në nivelin e pritshmërive të popullit shqiptar dhe aleancës së NATO-s.
Duke vlerësuar se nderi, përgjegjshmëria dhe merita janë themelore për të qenë pjesë e FA-ve, Kryeministri siguroi se përzgjedhja e shefit të ri të shtabit, është bërë me vëmendjen më të madhe, duke garantuar përmes figurës së tij, profesionalizëm dhe integritet të lartë në drejtimin e këtyre Forcave.
Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare i jep rëndësi të posaçme partneritetit strategjik me SHBA-të. Për Kryeministrin mishërimi i këtij partneriteti në frontin e NATO-s, nga llogoret e Irakut dhe të Afganistanit, tek përpjekja për të çarmatosur pa luftë regjimin vrastar në Siri, është jo vetëm detyrim i patjetërsueshëm, por dhe burim krenarie për shqiptarët. Kryeministri Rama nënvizoi se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë dhe për asnjë arsye, se falë këtij partneriteti, falë SHBA-ve, si miku dhe aleati më i madh i shqiptarëve, sot shqiptarët janë më mirë se kurrë ndonjëherë më parë, kudo që ata banojnë në rajonin tonë.