English

Bregu-Kryemadhit: Pse, çfarë do të nxjerrësh? Pistoletë

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot projektvendimin “Për ngritjen e Grupit për kryerjen e kontrollit në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave” (ILDKPKI).
Kryetari i Komisionit, z.Fatmir Xhafaj bëri të ditur se pranë Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut janë depozituar disa informacione dhe me anë të të cilave një grup punonjësish të ILDKP-së kanë parashtruar disa shqetësime serioze në lidhje me veprimtarinë e këtij institucioni.
“Në këto rrethana, çmohet e nevojshme që këto problematika të verifikohen, të shqyrtohen dhe të trajtohen me seriozitetin e nevojshëm nga ana e Kuvendit, si një organ që me ligj ngarkohet për monitorimin e këtij institucioni” tha z.Xhafaj.
Ai tha se projektvendimi vjen nisur nga vullneti për të garantuar të gjithë mbështetjen e nevojshme me qëllim që ILDKP të vijojë përmbushjen efektive të funksionit të saj, për të nxitur zbatimin e ligjshmërisë në aktivitetin e përditshëm të këtij institucioni, për të shmangur çdo situatë që pengon normalitetin në funksionimin e tij, dhe për të kontribuar si komision përgjegjës në përmirësimin e mangësive evetuale të krijuara nga situata aktuale në atë institucion. Duke bërë këtë parashtrim, z.Xhafaj deklaroi se, bazuar në nenin 102 të Rregullores së Kuvendit, kërkohet që Komisioni për Çështjet Ligjore, si komision përgjegjës, të ushtrojë një kontroll në këtë institucion.
Nga ana e tij, Nënkryetari i Komisionit, z.Oerd Bylykbashi tha se projektvendimi u fut në shqyrtim në shkelje të procedurave dhe kërkoi kohën e mjaftueshme për të gjykuar çështjen në fjalë.
Ai theksoi se ky projekvendim që Komisioni po merr në shqyrtim është një tentativë e mazhorancës për të kapur dhe kontrolluar institucionet e pavarura.
Pas diskutimeve, anëtarët e mazhorancës në Komisionin për Çështjet Ligjore miratuan projektvendimin “Për ngritjen e Grupit për kryerjen e kontrollit në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave” (ILDKPKI).
Kontrolli do të fokusohet dhe do të verifikojë përmbushjen e detyrave funksionale nga ana e ILDKP si dhe zbatimin e ligjshmërisë nga ana e këtij institucioni.

Ndërkohë në Komisionin e Integrimit

Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu dhe sekretarja e komisionit Monika Kryemadhi janë përfshirë dje në debate të ashpra për kalendarin e punimeve.

Demokratja Bregu njoftoi në fillim të seancës se kishte hartuar një kalendar për të thërritur katër ministra të qeverisë “Rama” në seanca dëgjimore. Por, kjo kërkesë u kundërshtua nga nënkryetari i Komisionit të Integrimit, Taulant Balla dhe sekretarja Monika Kryemadhi. Debati është zhvilluar në fund të mbledhjes dhe sekretarja e komisionit kërkoi që diskutimi të zhvillohej pa praninë e medias dhe kjo do ishte në të mirë të Bregut.

Por, ish- ministrja i ka kërkuar koleges së LSI, arsyen përse dëshironte ta bënte mbledhjen pa media, duke thënë se: “Pse, çfarë do të nxjerrësh? Pistoletë?!”. Por, kjo deklaratë është komentuar me ton nga deputetja e LSI-së: “Jo nuk do të nxjerr pistoletë se ke vrarë vetveten, s’kam nevojë më të vra unë”. Diskutimi mes dy deputeteve ka vijuar sërish me tone të larta, teksa Kryemadhi po i kërkonte Bregut që të vendoste rregulla të qarta dhe të konsultohej me nënkryetarin e Komisionit dhe me sekretaren para se të ndërmerrte nisma për të ftuar ministrat.

“Duhet të vendosim rregulla e para e punës për sekretarët. Ne nuk kemi nevojë t’i marrim informacionet sot, më përpara. O Majlinda, me ty po flas, se po çohem dhe po iki… Mos u bëj e paedukatë, në qoftë se je e paedukatë me të tjerët, me mua mos u bëj e paedukatë”, iu drejtua Kryemadhi Bregut, e cila tha: “Mos fol ashtu se po e ekzagjeron tani”.

Gjatë debatit, bashkëshortja e Ilir Metës i ka bërë të qartë kryetares se në raste e tjera, në qoftë se nuk konsultohet për kalendarin e punimeve, atëherë me shumicën e votave do t’ia rrëzojnë në komision.

“Kemi një orë e gjysmë që të durojmë dhe na ke axhituar të gjithëve. Herë tjetër, për rendin e ditës të komisionit do ta vendosim bashkë, unë, ti dhe Taulanti. Nëse nuk do, ne e ndryshojmë në komision se votat i kemi. Se ne nuk jemi këtu as druvari, as gjë tjetër. Unë s’jam as shërbëtorja jote dhe as e askujt, jam shërbëtore e fëmijëve të mi”, u shpreh Kryemadhi.

KOMENTE