Në Filipine është deklaruar gjendja kombëtare e katastrofës, teksa vendi është tronditur nga shkatërrimet e tajfunit “Haiyan”, nga i cili numri i të vdekurve pritet të arrijë të paktën dhjetra mijëra.
Presidenti, Benigno Aquino, deklaroi të hënën masat e emergjencës për të siguruar ndihmë ndaj miliona njerëzve të mbetur të mjeruar prej superstuhisë, si dhe u premtoi atyre se “ndihma do t’u vinte gjithnjë e më shpejt”.
“Apeli im ndaj jush është të qëndroni të qetë, të luteni, të bashkëpunoni dhe të ndihmoni njëri-tjetrin. Vetëm këto gjëra mund të na ndihmojnë të dalim nga ky mjerim”, tha ai në një fjalim televiziv ndaj bashkëkombasve të tij.
Një përpjekje për ndihmë nisi gjatë së hënës, me një mori vendesh dhe organizatash, përfshi SHBA-të, BE-në, Zelandën e Re dhe Australinë, u angazhuan për të ndihmuar Filipinet.
SHBA-të njoftuan se do të jepnin 20 milionë dollarë në ndihma humanitare, si dhe trupa shtesë për të ndihmuar në përpjekjet lehtësuese.
Aeroplanmbajtësja “USS George Ëashington” dhe anije të tjera amerikane janë urdhëruar të drejtohen drejt Filipineve të goditura rëndë nga tajfuni, ka bërë të ditur Pentagoni gjatë së hënës. Aeroplanmbajtësja, që ka 5000 marinarë dhe më shumë se 80 avionë në bord, pritet të në rrugëtim e sipër gjatë mbrëmjes së të hënës, njoftoi Pentagoni përmes një deklarate, raporton Top Channel.
Ushtria e Filipineve konfirmoi 942 të vdekur, por disa mungesa e komunikimit, lidhjeve të transportit dhe qeveritë lokale sugjerojnë se numri përfundimtar i viktimave është shumë ditë larg përcaktimit.
Zona e goditur më keq është Tacloban, që u godit nga erërat e tajfunit prej 300 km/orë, ku kanë mbetur vetëm pak ndërtesa betoni në këmbë.
Shefi humanitar i OKB-së tha se 10 mijë njerëz dyshohen të kenë vdekur vetëm në Tacloban. Ushtaët filipinas kanë shpërndarë ushqim dhe ujë në Tacloban, ndërsa ekipet e vlerësimit nga OKB dhe agjenci të tjera ndërkombëtare janë shfaqur për herë të parë.
Ushtria amerikane dërgoi ushqim, ujë, gjeneratorë dhe një kontigjent marinarësh drejt atij qyteti, në ndihmën e parë përtej kufijve në atë që do të kthehet me siguri në misionin më madhor ndërkombëtar për ndihmë.
“Nuk besoj se ka ndonjë strukturë që nuk është shkatërruar apo dëmtuar rëndë në ndonjë mënyrë, janë prekur të gjitha ndërtesat dhe të gjitha shtëpitë”, tha marinari amerikan, Gjeneral Brigade Paul Kennedy, pasi udhëtoi me helikopter në atë qytet.