English

Rama përgjigjet për armët kimike. Ja përgjigjia

Pyetje për Kryeministrin Rama. Ju thatë që të gjitha vendimet e qeverisë janë duke u parë, por mendoj se përveçse nga BE vendimet e qeverisë shikohen edhe nga qytetarët shqiptarë. Cila do të jetë përgjigja që do të japë qeveria shqiptare për kërkesën e SHBA për risjelljen dhe shkatërrimin e armëve Siriane në vendin tonë. A do të dëgjohet zëri i tyre. Ju jeni akuzuar nga opozita dhe shoqëria civile se ka një mungesë të theksuar transparence në gjithë këtë proces?

Kryeministri Rama: “Faleminderit për pyetjen edhe pse nuk hyn në çështjet e dialogut të nivelit të lartë me Bashkimin Evropian, por sigurisht, hyn në çështjen e dialogut të brendshëm. Unë dua ta theksoj shumë qartë, fakti që, nuk ka më shumë informacion sesa informacioni që ka dhënë Ministri i Jashtëm përpara komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, ka të bëjë me faktin, se nuk ka më shumë informacion.

Kemi thënë përmes Ministrit të Jashtëm duke iu përgjigjur interesit të medias gjatë vizitës së tij në Francë, se jemi kontaktuar nga Shtetet e Bashkuara dhe në këndvështrimin tim, e kundërta do të ishte shqetësuese, që Shqipëria të mos kontaktohej për një çështje për të cilën janë në kontakt të gjitha vendet e NATO-s. Kemi thënë po ashtu, se në fillin e këtyre kontakteve ka pasur një bisedë mes meje dhe Sekretarit të Shtetit për rreth 30 minuta, ku kemi diskutuar për këtë çështje dhe po ju them që, nuk ka asnjë vendim dhe nuk ka asnjë transparencë më shumë se kaq që mund të bëhet, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ne jemi bashkë me vendet e tjera, në një diskutim të brendshëm dhe nuk jemi në kushtet kur na duhet të marrim një vendim. Në momentin që do të na duhet të marrim një vendim, sigurisht, këtë do ta ndajmë me publikun dhe pa asnjë dyshim me parlamentin. Çfarë do të thotë!

Do të thotë që në kushtet, në të cilat flasim, jam i vetëdijshëm për ndjeshmërinë shumë të lartë që ka krijuar kjo çështje, por nga ana tjetër dëshiroj t’ju them të gjithë qytetarëve shqiptarë, se pjesa më e madhe e gjërave që thuhen, janë të pavërteta. Ashtu sikundër nga ana jonë, as nuk na takon dhe as nuk është në etikën e Familjes Euro-Atlantike, që të bisedojmë jashtë nesh, në kuptimin e njerëzve që po bisedojmë në emër të vendeve anëtare, për atë që po bisedojmë brenda për brenda, që përfshin një gamë të gjerë çështjesh, por që nuk lidhet ende, me një vendim.

Së pari, askush nuk duhet ta harrojë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe për rrjedhojë mendoj se gjithkush, duhet të niset nga ky fakt dhe nga objekti i këtij diskutimi, që është çarmatosja pa luftë në terren e një regjimi vrastar dhe të mos bëjë asnjë krahasim të mundshëm, se nuk ka një të tillë, me pozicionin tonë shumë të qartë për të shfrytëzuar këto katër vite, për të pastruar Shqipërinë nga plehrat, duke filluar nga ndalimi i importit të plehrave. Të krahasosh këto dy gjera vërtet e padrejtë, për të thënë më të paktën.

Së dyti, është shumë e rëndësishme dhe këtu do ta mbyll, që çdo qytetar i shqetësuar, çdo prind, çdo gjyshe dhe gjysh, që ndjek me drithërimë në zemër, lumin e të pavërteta, që rrjedh përditë për arsye të vet, duhet ta dijë, se unë jam plotësisht i vetëdijshëm dhe jam plotësisht në krye të detyrës, për të përfaqësuar me dinjitetin më të plotë në këtë përpjekje dhe në këtë diskutim me SHBA dhe me gjithë të tjerët, interesin kombëtar të Shqipërisë, që është i pandashëm me çështjet e sigurisë nga interesi kombëtar i SHBA, por edhe interesin e çdo familje shqiptare. E në ndërkohë arsyeja pse ende, nuk i kam takuar drejtpërdrejtë përfaqësuesit e kësaj proteste, me disa nga të cilët kam komunikuar personalisht, është shumë e thjeshtë; nuk është një heshtje që fsheh gjësend, por është sepse nuk jemi ende dhe mund të mos jemi në pikën, që na duhet të marrim një vendim.

E në rast se unë do të mendoj se do të na duhet të marrim një vendim, qoftë në njërën anë qoftë në anën tjetër, padyshim që këtë do ta ndaj me publikun, me Parlamentin, por në radhën më të parë me vetë përfaqësuesit e protestës, por ama duke e mbështetur vendimin në fjalë ose kërkesën për të marrë një vendim mbi tërësinë shteruese të të gjithë argumentave që i duhen me të drejtë çdo shqiptari, jo vetëm për të mos pasur frikë, as thjesht për të qenë i qetë, por për të qenë krenar për Shqipërinë dhe për të qenë i vetëdijshëm për çdo arsye të drejtësisë të një vendimi të tillë. Kjo është e gjitha dhe nuk kam dashur dhe nuk kemi dashur, të futemi në një debat, pa debat.

Përsa na takon ne, jo përsa u takon atyre që janë të shqetësuar, apo atyre që përfaqësojnë shqetësimin qytetar, por përsa na takon ne, se ne kemi një detyrë tjetër dhe unë kam një përgjegjësi tjetër, nuk ka asnjë dyshim se po të mos isha në zyrën ku jam dhe po të “dëgjoja” ekspertët që kanë marrë përsipër t’i tregojnë shqiptarëve një panorame apokaliptike, do të isha në protestë. Por në zyrën ku jam nuk shoh as panoramën apokaliptike dhe as mundësinë që të jap më shumë të dhëna, për një diskutim të brendshëm, brenda familjes së vendeve anëtare, sepse pavarësisht se këtu nuk po shkojnë avionë, apo tanke, apo ushtarë në terren, po zhvillohet një luftë me një mjet të ri, çarmatosjen pa luftë”.

KOMENTE