English

Rama- Gjukanoviç. Projekte të rëndësishme si ndërtimi i Korridorit të Kaltër

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot, një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku fillimisht u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri Milo Gjukanoviç. Takimi ndërmjet Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit Gjukanoviç, krahas bisedimeve për perspektivën e përbashkët evropiane dhe euro-atlantike të dy vendeve, u fokusua në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, në bashkëpunimin ekonomik dhe atë rajonal, në funksion të zhvillimit.

Pas takimit mes delegacioneve, dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për mediat. Kryeministri Rama çmoi miqësinë që ekziston ndërmjet dy vendeve tona dhe theksoi se ekzistojnë të gjitha kushtet për të shkuar përpara, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi të ndërsjellë, me përfitim të ndërsjellë. Sa i përket rajonit, Kryeministri Rama theksoi edhe njëherë faktin se “sot gjendemi përball një sfide të re në rajonin tonë; Sfida e paqes në të gjithë rajonin. Viti i ri 2014 është i pari vit i ri që e gjen rajonin tonë pa asnjë konflikt. Është i pari vit i ri ku të gjithë do festojnë në shtëpitë e tyre dhe askush nuk do të ketë një pushkë në dritare të drejtuar nga fqinji. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e gjithë këtyre viteve përpjekjeve të të gjithëve në këtë rajon. Por, edhe një sfidë e jashtëzakonshme për t’i dhënë kësaj paqeje një përmasë të re zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal në funksion të zhvillimit.”

Temë e rëndësishme e diskutimeve ndërmjet dy kryeministrave ishte edhe pozita e pakicave kombëtare, për të cilën Kryeministri Rama dhe Kryeministri Gjukanoviç shprehën angazhimin dhe vendosmërinë për të çuar më tutje çdo proces që përmirëson standardet e jetës dhe të bashkëjetesës së tyre. “Duke çmuar ndjeshmërinë që gjeta në fjalët e Kryeministrit lidhur me problemet e shtruara nga bashkësia shqiptare dhe duke shprehur bindjen se Kryeministri është i vendosur për të çuar më tutje, bashkë me mua, çdo proces që përmirëson standardet e jetës dhe të bashkëjetesës, qoftë të shqiptarëve këtu, qoftë të malazezëve jashtë kufirit”, tha Rama.

Kryeministri Rama dhe Kryeministri Gjukanoviç shprehën gatishmërinë për bashkëpunimin në një seri projektesh në infrastrukturë, si ndërtimi i Korridorit të Kaltër, apo i quajtur ndryshe Korridori Adriatik- Jon, realizimi i projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik apo projekte të tjera rajonale. Duke u ndalur në këto projekte, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë që ka ndërtimi i projekti të përbashkët për Korridorin e Kaltër apo korridorin Adriatik – Jon. “Ky është një projekt me interes strategjik për të dy vendet, por edhe për rajonin. Ne besojmë se është zanafilla e një pune ku, me siguri, edhe të tjerë do të kenë interes të bashkëngjiten. Praktikisht, ky projekt do të mundësojë lidhjen organike të të gjithë Korridorit Adriatik – Jon, me të gjitha standardet evropiane, duke krijuar një hapësirë të re për zhvillimin turistik”, tha Rama.

Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç, u shpreh i vendosur për realizimin e këtij projekti të përbashkët. “Rruga Adriatik – Jon është një projekt shumë i rëndësishëm për gjithë rajonin. Mendoj se tanimë po krijohen kushtet për mbylljen, kornizimin e strukturës financiare edhe të një projekti kaq të rëndësishëm. Me këtë kemi angazhuar edhe me ministrat tanë të transportit, të cilët po punojnë për përgatitjen e dokumentacionit për këtë projekt”, tha Gjukanoviç.

Në vijim të vizitës në Mal të Zi, Kryeministri Edi Rama u takua edhe me Presidentin e Mali të Zi, Filip Vujanoviç dhe Kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç. Një takim i posaçëm në axhendën e takimeve zyrtare të Kryeministrit Edi Rama, të zhvilluara në shtetin fqinj, ishte biseda mjaft e hapur me përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Mal të Zi.

1974

KOMENTE