Fëmijët studiojnë në gjuhën shqipe, prindërve ju vijnë SMS porosi për situatën e fëmijëve të tyre në gjuhën maqedonase.
Në adresë të “Zhurnal” kanë arritur ankesa të shumta nga prindër të cilët të revoltuar nga ky veprim kërkojnë që porositë atyre t’i vijnë në gjuhën shqipe.
“Fëmija im mëson në gjuhën shqipe. Edhe mësuesit i ka shqiptarë, habitem si është e mundur që porosia në telefonin celular të më vijë në gjuhën maqedonase”, thotë Kadri J., nga Shkupi.
Ai thekson se pasi ka kërkuar sqarim për këtë dukuri, nga mësimdhënësit dhe kujdestari i vajzës së tij është njoftuar se ai paraprakisht duhet të bëjë kërkesë që porosia t’i shkojë në gjuhën shqipe.
“Pse unë të bëj kërkesë që porosia të më vijë në shqip. Ata e dinë mirë se ne jemi shqiptarë dhe fëmijët tanë mësojnë shqip. Shkolla është shqipe. Pse automatikisht mos të më vijë porosia edhe në shqip”, shprehet i revoltuar Kadriu.
Ministri i arsimit Spiro Ristoski ka theksuar se duhet të bëhet kërkesë që mesazhet të arrijnë edhe në gjuhën në të cilën mëson nxënësi.
Deri tani, mesazhe iu janë dërguar më shumë se 143 mijë numrave celularësh dhe adresash të postës elektronike. Për ata prindër që ende nuk kanë marrë ndonjë porosi duhet të japin numrat e telefonave ose email adresat e tyre pranë shkollave, në mënyrë që të jenë të informuar me veprimet e fëmijëve të tyre.