English

Withers: Në Qafë Mollë ekzistojnë ende mbetjet e rrezikshme, një minë me sahat për shqiptarët

Ndonëse Shqipëria asgjësoi arsenalin e saj të armëve kimike, në Qafë Mollë ekzistojnë ende mbetjet, të cilat duket se janë një minë me sahat për shqiptarët. Gjithçka pohohet në një nga kabllogramet e Wikiliks, e ish-ambasadorit të Amerikës John Withers, i cili është zbardhur nga televizioni "Vizion Plus".
Ai shkruan pesë vite më parë se kompania që bëri asgjësimin, shprehte shqetësim për 30 kontenierët ku ndodheshin mbetjet e rrezikshme. "Megjithatë, më pas, agjencia zbatuese, DTRA (Agjencia e Mbrojtjes për Reduktimin e Rrezikut) pranoi që të paketonte mbetjet në kontenierë me veshje të dyfishtë kundër rrjedhjes, që do t'i mbanin mbetjet të sigurta për 20 vjet në strukturën e Qafë Mollës. Kjo do të lejonte kohën e mjaftueshme për të ndërtuar një strukturë për mbetjet e rrezikshme, e cila do të ishte e aftë t'i përballonte ato. Agjencia e Mbrojtjes për Reduktimin e Rrezikut mori paratë dhe u largua përpara se ta përfundonte punën dhe la pas disa kontenierë shtesë për mbetjet që do të menaxhoheshin nga shqiptarët. Megjithatë, më pas, agjencia zbatuese, DTRA (Agjencia e Mbrojtjes për Reduktimin e Rrezikut) pranoi që të paketonte mbetjet në kontenierë me veshje të dyfishtë kundër rrjedhjes, që do t'i mbanin mbetjet të sigurta për 20 vjet në strukturën e Qafë Mollës", thuhet në kabllogram.
Por struktura nuk u ndërtua, ndërsa testet zbuluan prova për ndotje me metale afër vendit ku ato ndodheshin. Agjencia e Mbrojtjes për Reduktimin e Rrezikut solli në Shqipëri një ekspert mjedisor nga Britania e Madhe, i cili deklaroi se problemi ishte më i rëndë nga sa mendohej fillimisht. Withers shkruan: –Në shumë prej kontenierëve po rridhnin kripëra metalesh të rënda, fillimisht arsenik, plumb dhe mërkur. Veç kësaj, ato nuk ishin të papërshkueshëm nga uji dhe përderisa përbërësit e ndotur nuk ishin pastruar siç duhet përpara se të vendoseshin në kontenierë, kondensimi dhe rrjedhja po bënin që të shpërbëheshin disa prej lëndëve ndotëse dhe të rridhnin jashtë. Ekspertët i transferuan kripërat në kontenierë të mëdhenj plastikë, të cilët nuk do të gërryheshin, por sipas tyre kishte nisur 'count down'-i i viteve që mbanin nën fre mbetjet e rrezikshme kimike.

"Ekspertët mjedisorë vlerësuan se kontenierët plastikë të Agjencisë së Mbrojtjes për Reduktimin e Rrezikut shërbenin vetëm për pesë deri në 10 vjet për ruajtjen nga kontaminimi dhe jo 20 vjet siç pretendohej. Edhe pse në Qafë Mollë është një zonë e izoluar në një anë mali, që rrethohet nga tela me gjemba dhe e ruajtur nga forca ushtarake, ekziston mundësia e një katastrofe natyrore, që mund të shkaktohet nga ndonjë tërmet, apo zjarr në pyll. Nga kjo mund të derdhen jashtë mbetjet e rrezikshme", shkruan Withers në kabllogram, ndërsa thekson se mbetjet në Qafë Molle janë një pjesë e vogël e lëndëve të rrezikshme në të gjithë vendin, pjesa më e madhe gjendet në bazat ushtarake.

KOMENTE