Publicisti Fatos Lubonja e ka krahasuar fjalimin e Kryeministrit Edi Rama për shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri si ai i Adolf Hitlerit.
“Ngjarja e fundit duke përfshirë edhe fjalimin e Ramës, ma ka thelluar edhe më kontradiktën, pasi është sinjal i pastër se ky Kryeministër, që nuk duhet t’ia uronim asesi dështimin, e ka dështimin të shkruar në ballë.
Fjalimi i tij ogurzi për mua në këtë drejtim. Nga pikëpamja e gjendjes së tij psikologjike (fatmirësisht jo e pasojave) më kujtoi Hitlerin, që kur humbte luftën për fajin e tij, mallkoi popullin gjerman që nuk e meritonte një lider si ai”, ka thënë Lubonja në një intervistë për MAPO.
“Fjalimi ishte një shoshë me gënjeshtra që kërkonte të mbulonte diellin e së vërtetës që e pa çdo shqiptar: e para, se ajo që ai donte të bënte ishte në dëm të Shqipërisë dhe vetëm në interest të tij e të pushtetit të tij personal e prandaj dhe e kishte mbajtur fshehur- sepse përndryshe do të na e kishte thënë me gaz që ditën e parë, siç na tha, pa u bërë ende kryeministër, se do të shkonte në luftë në Siri- dhe e dyta, se atë e detyroi të sprapset presioni i madh popullor, ku duhen future edhe njerëzit e tij, dhe jo opozita e mallkuar dhe grupe mediatike që e paskan manipuluar rininë”, ka thënë Lubonja.