English

TAP-i sjell përfitime edhe për Shqipërinë

Drejtuesit e projektit të gazit TAP-i kanë planifikuar nisjen vitin e ardhshëm të ndërtimit të rrugëve në zonat nga ku do të kalojë rrjeti në Shqipëri, në mënyrë që të jetë gati për ndërtimin e tubacionit në vitin 2015.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të Trans Adriatic Pieline (TAP). Ata thanë se në muajin shtator ka nisur procesi i shërbimeve dhe blerjen e tokës (LEA) në Greqi dhe Shqipëri, ku ekipet e punës po punojnë intensivisht për të identifikuar pronarët e ligjshëm në zonat nga ku kalon tubacioni.

Përveç diversifikimit në furnizimin me gaz për Europën, tubacioni i TAP-it do të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për Europën Jugore, veçanërisht edhe për Shqipërinë.

Sipas një studimi të pavarur të “Oxford Economics”, në Shqipëri, zbatimi i TAP do të kushtojë përafërsisht 1 miliard usd çka do të nxisë aktivitetin ekonomik në tërësi dhe në zonat ku do të kalojë. Përfitimet lidhen edhe me punësimin, mbajtjen dhe krijimin e infrastrukturës, zhvillimin e potencialeve lokale dhe aftësitë.

Sipas studimit, ndikimi i drejtpërdrejtë i projektit do të arrijë kulmin në vitin 2017, pasi pritet që aktiviteti nga TAP të gjenerojë 57 milionë euro për PBB-në shqiptare, të krijojë 4.200 vende pune në vit, me kohë të plotë e të pjesshme.

Nga studime të pavarura, nga zbatimi i projektit TAP Greqia do të mund të injektojë në ekonomi 1.5 miliardë euro, do krijohen rreth 2,000 vende pune të drejtpërdrejta dhe rreth 10,000 në mënyrë jodirekte si dhe një sinjal pozitiv për investitorët e huaj.

Në Itali, sipas studimit të pavarur të realizuar nga “Nomisma”, ndërtimi i tubacionit do të kontribuojë direkt në PBB-në e rajonit të Pulias me rreth 80 milionë euro/vit gjatë periudhës së ndërtimit dhe do të krijohen rreth 150 vende pune në vit me kohë të pjesshme dhe të plotë.

Aktualisht Shqipëria ka një prodhim minimal të gazit natyror, rreth 4-5 milionë m³, një sasi gati e parëndësishme dhe që shërben vetëm për të furnizuar proceset teknologjike të rafinerisë dhe industrisë së naftës.

Pavarësisht përpjekjeve dhe inkurajimit të investitorëve të huaj, Shqipëria nuk është ende e lidhur me rrjetin ndërkombëtar të gazit, që kur të bëhet, do të ketë ndikim pozitiv në përmirësimin e situatës së energjisë në vend dhe ndikim shumë pozitiv në përdorimin me kursim të energjisë së përfituar nga produktet e naftës dhe energjisë elektrike.

Skenari i energjisë së rinovueshme mbështet të gjitha alternativat, që përfshijnë vendin tonë në rrjetin ndërkombëtar të naftës dhe gazit, duke i dhënë përparësi projektit që konsideron Shqipërinë si vend strategjik dhe merr parasysh avantazhet e alternativave që ofrohen për ruajtjen e gazit nën tokë.

Shqipëria, përveç projektit TAP, synon dhe projektin e gazsjellësit Jon Adriatik, (IAP), që lidhet me planet e zhvillimit të rrjetit të gazit natyror në Ballkanin Perëndimor, nga Kroacia në Bosnjë & Hercegovinë, Mal të Zi dhe Shqipëri.

Ky projekt shpresohet të funksionojë në një sistem qarku të mbyllur, ku furnizimi do të realizohet në dy drejtime, veri dhe jug nga sistemi kroat i transportit të gazit dhe TAP.

Projekti IAP do të jetë gjithashtu pjesë e Unazës së gazit të Komunitetit të Energjisë, si një projekt rajonal, i aprovuar nga Komuniteti i Energjisë dhe BE. Projekti i gazsjellësit IAP është aktualisht në fazën e kryerjes së studimit të fizibilitetit, me një fond prej 3 milionë eurosh nga BE.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt i tubacionit të gazit natyror. Tubacioni do të niset nga Greqia, do të kalojë nëpër Shqipëri dhe Detin Adriatik dhe do të përfundojë në jug të Italisë, duke lejuar që gazi të rrjedhë drejtpërsëdrejti nga rajoni i Detit Kaspik drejt tregjeve evropiane.

KOMENTE