English

17 -nëntor 2103. Tirana feston 69 vjetorin e çlirimit

Tirana përkujton sot 69-vjetorin e çlirimit. Një sërë aktivitetesh janë organizuar nga Bashkia e Tiranës, për të përkujtuar këtë moment historik. Kryebashkiaku Lulzim Basha është përulur sot me nderim dhe respekt përpara veprës dhe kontributit të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës. Zoti Basha, ndërsa bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve, ka theksuar se është përgjegjësi e madhe për të gjithë ne, që të mos i tradhëtojmë më parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë.

“17 nëntori përkujton gjithmonë një ditë të veçantë për kryeqytetin, ditën e çlirimit të tij dhe është një ditë gëzimi por është një ditë që nis gjithmonë me nderimin për ata që flijuan gjithçka, edhe jetën e tyre, për një kauzë kaq të lartë e të pavdekshme, siç është liria, liria e atdheut, liria kombëtare, liria e qytetarëve.

Sot, përkulemi si çdo vit, me respektin më të thellë dhe mirënjohjen më të madhe ndaj atyre që mbetën të rinj përgjithmonë dhe që prehen në altarin e “Dëshmorëve të Atdheut”, këtu në Tiranë apo kudo tjetër, duke nderuar kontributin dhe sakrificën e tyre sublime, duke përkujtuar jo thjesht fitoren e një beteje mes të mirës dhe së keqes por duke përkujtuar atë çfarë e bën një komb, të lirë dhe dinjitoz, respektin për ata që janë gati të sakrifikojnë çdo gjë në momentet më të vështira, atëherë kur kauza e lirisë i thërret.

Është një përgjegjësi e madhe për të gjithë ne, për brezin e ri, brez pas brezi, për çdo shoqëri të lirë, të njohë, të respektojë dhe të përkulet me nderim të thellë para kësaj sakrifice. Është një përgjegjësi e madhe për të gjithë ne, që të mos i tradhëtojmë më parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë, të Shqipërisë së lirë dhe demokratike, për të cilën u flijuan të gjithë dëshmorët e betejës për çlirimin e Tiranës dhe në tërësi të luftës nacional-çlirimtare.

Përtej një dite përkujtimi, kjo është edhe një ditë refleksioni për përgjegjësitë tona sot e të brezave të ardhshëm, për të kultivuar e ngritur më lart vlerën e lirisë, vlerat e demokracisë dhe për të mos i lënë më kurrë të ndihen “të tradhëtuara” këto ideale, për të cilat kemi paguar kaq shtrenjtë. Lavdi përjetë dëshmorëve të betejës për çlirimin e Tiranës, lavdi përjetë dëshmorëve të kombit! – deklaroi z. Basha.

KOMENTE